Erik Ten Hag e mbron De Gean pas paraqitjes së tij të tmerrshme kundër Sevillës - NACIONALE

Erik Ten Hag e mbron De Gean pas paraqitjes së tij të tmerrshme kundër Sevillës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, e ka mbrojtur portierin David De Gea pas paraqitjes së tij shumë të dobët në disfatën e skuadrës së vet kundër Sevillës në çerekfinale të Ligës së Evropës të enjten.

Sevilla e mposhti 3:0 Unitedin, kryesisht falë gabimeve amatore të skuadrës së Ten Hagut, përfshirë De Geas i cili nuk arriti ta largojë një top pasi e lëshoi portën duke ia mundësuar Youssef En-Nesyrit të shënojë golin e tretë në portën boshe.

Megjithatë, Ten Hag e ka mbrojtur portierin spanjoll duke thënë se ai është portjeri i cili ka më së shumti ndeshje pa pranuar gol në historinë e klubit se çdo portjer tjetër i United dhe se është një ndër portierët që kryeson listën e për çmimin Dorëza e Artë në Premierligë këtë sezon.

“Ai është portier me më së shumti ndeshje pa pranuar gol në Premierligë dhe kjo tregon që është portier me kapacitet të madh dhe një ndër më të mirët” tha pas ndeshjes Ten Hag.

Trajneri holandez e kritikoi tërë ekipin e vet, megjithatë, duke i akuzuar lojtarët për mungesë vullneti për të luftuar kundër një ekipi të përkushtuar spanjoll.

Ai shtoi: “Ne duhet të mësojmë. Duhet të luajmë ndeshjet me pasion, me dëshirë, të kemi qetësi dhe të kontrollojmë topin. Kur kemi pengesa duhet t’i kontrollojmë ato dhe të rikthehemi. Nuk ka të bëjë me aftësitë ka të bëjë me dëshirën për të fituar. Ata kishin më shumë vullnet për të fituar dhe është e papranueshme për ne. Duhet të përballemi me faktin që kemi zhgënjyer veten dhe tifozët. Nëse dëshironi të fitoni trofe, nëse dëshironi të jeni të suksesshëm atëherë duhet të keni karakter.”

United do të rikthehet në aksion të dielën në gjysmëfinalen e FA Cup ndaj Brighton në Wembley. /Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme