Enrique: Tani dua të shkoj në shtëpi, për të ardhmen flasim pas një jave - NACIONALE

Enrique: Tani dua të shkoj në shtëpi, për të ardhmen flasim pas një jave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Luis Enrique nuk ia doli që ta dërgojë Spanjën në çerekfinale, pasi humbi në penallti ndaj Marokut. E ardhmja e tij në stolin e kombëtares është në pikëpyetje, por ai thotë se pas një jave do të flasë për këtë çështje.

Për dikë befasi, e për dikë tjetër jo edhe aq – Maroku arriti ta eliminojë Spanjën në ndeshjen e parë të eliminimit direkt.

Luis Enrique, i cili fillimisht ishte në dëlir pasi kombëtarja e kishte filluar në formën më të përsosur këtë Botëror, tani është në qendër të kritikave.

“Ky nuk është momenti për të folur rreth të ardhmes. Tani vetëm dua të shkoj në shtëpi dhe t’i shoh familjarët e mia. Javën e ardhshme do të flasim rreth të ardhmes. Më duhet ta kapërcej këtë humbje”, tha ai.

Megjithatë, sportiviteti nuk i mungoi trajnerit spanjoll, i cili nuk ngurroi që ta përgëzojë Marokun për kalimin në çerekfinale.

“Ne jemi Spanja dhe e përfaqësojmë vendin tonë, kështu që duhet t’i bëjmë përgëzimet tona për Marokun. Ishin më të mirë sesa ne në lotarinë e penalltive”, nënvizoi ai.

Habia se si fitoi Maroku

Sidoqoftë, përzgjedhësi i Spanjës është i bindur se ishin pikërisht ata që kanë mbizotëruar në lojë dhe u shpreh i habitur si dikush mund të fitojë pa treguar qasje sulmuese në lojë.

“Futbolli është një sport i mrekullueshëm, por është pak i qartë, pasi një skuadër mund të fitojë edhe pa sulmuar. Kemi mbizotëruar tërësisht lojën, por dy penalltitë për ne ishin fatale”, u shpreh ai.

Ai dha edhe një shpjegim sa i përket ekzekutuesve të penalltive se në çfarë forme i ka përzgjedhur, pasi u komentua shumë brishtësia e ekipit të tij në këtë element të lojës.

“Jam shumë krenar për lojtarët tanë. Madje, i përgëzoj. Kam zgjedhur unë vetë tre goditësit e parë të penalltive, ndërsa të tjerët i kanë zgjedhur vetë ata”, tha ai.

Bono ishte heroi i ndeshjes duke pritur tre penallti. Përzgjedhësi i Spanjës pati fjalë të mira për të, duke folur në superlativ.

“Bono është një portier spektakolar dhe sot ishte i jashtëzakonshme. Kemi dhënë 100% prej vetes dhe tani na duhet të presim edhe një mundësi. Na vjen keq shumë për tifozët, por ne u përpoqëm...”, përfundoi ai.

Tani Maroku do të ndeshet ndaj Portugalisë në çerekfinale. Ndërkohë në shtetin afrikano-verior festa ka kaplua tërë vendin dhe si e tillë është shtrirë edhe gjithandej ku ka mërgatë marokene në vendet e ndryshme të botës.

Lajme të ngjashme