Enrique: Sonte do të vajtojmë, s’kemi çka festojmë
Luis Enrique është shfaqur mjaft kritik pas humbjes me përmbysje ndaj Japonisë me rezultat 2:1, e që rrezikoi shumë në një moment të caktuar edhe të eliminohej, po të mos e rikthente epërsinë Gjermania ndaj Kosta Rikës.
Nuk e ka kapërdirë aspak mirë humbjen e sotme ndaj Japonisë përzgjedhësi spanjoll Enrique. Ai ka thënë se Japonia e ka vendosur kombëtaren e tij në një pozitë paniku për pesë minuta, duke shtuar se kualifikimi nuk duhet assesi të shoqërohet me festë.
“Sonte do të vajtojmë. Nuk kemi asgjë për të festuar. Kanë qenë pesë minuta të panikut. Shënuan dy gola që u duheshin dhe do të kishin mundur të shënoi edhe dy gola të tjera nëse do t’u nevojiteshin”, shtoi ai.
Madje, sipas Enriques nuk do të jetë aspak e lehtë as ndaj Marokut: “Edhe Maroku do të na vendosë në vështirësi.”

Enrique nuk e ka asnjë dyshim të vetëm që me plot meritë ishte Japonia ajo që siguroi plasmanin si e para në Grupin E.
“Japonia u kualifikua si e para me plot meritë. Më dhemb, sepse dëshironim që të ishim ne të parët në grup”, tha ai.
Nerva të acaruara në zhveshtoren e Spanjës
Mediet e ndryshme nga bota kanë raportuar se Spanja nuk e ka pranuar aspak me qetësi humbjen e pësuar nga Japonia. Përzgjedhësi Enrique e ka mbyllur të gjithë ekipin kombëtar në zhveshtore, duke kërkuar që të sqarohet me lojtarët e tij.
Si rrjedhojë, qoftë konferenca për shtyp apo edhe vetë prononcimet e para të lojtarëve spanjollë janë vonuar tej mase.

Enrique edhe gjatë ndeshjes u fokusua shpesh nga kamerat teksa bërtiste, sa për të treguar që nuk ishte aspak i kënaqur me përmbysjen e rezultatit që ia shkaktoi Japonia në pjesën e dytë.
Një pjesë e dytë krejtësisht ndryshe në raport me atë se çfarë u dëshmua në fushë në 45 minutat e para. Spanja pati shumë probleme që të godiste në drejtim të portës japoneze.
Madje, në një moment të caktuar, kur në ndeshjen tjetër mes Kosta Rikës dhe Gjermanisë po zhvillohej minuta e 70-të, Spanja pa vetën të eliminuar.

Kjo shtangje zgjati për tre minuta, sepse ishte Havertz ai që me anë të barazimit të rezultatit në 2:2 e qetësoi paksa kampin spanjoll.
Tani, Spanja do të përqendrohet në sfidën e radhës, kur të martën (6 dhjetor) do të ndeshet në fazën e eliminimit direkt ndaj Marokut. Në tre ndeshjet direkte që këto dy ekipe kombëtare kanë zhvilluar në Botëror, Spanja gëzon një bilanc më të mirë me dy fitore dhe një barazim.

