Ëndrra e 10-vjeçarit ukrainas për t’u bërë yll futbolli vazhdon larg, larg shtëpisë - NACIONALE

Ëndrra e 10-vjeçarit ukrainas për t’u bërë yll futbolli vazhdon larg, larg shtëpisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Danylo Astion iku nga Ukraina bashkë me familjen e vet pak pas pushtimit rus, por ëndrra e tij për t’u bërë yll i futbollit jeton në Vjenë, ku ushtrimet për një nga ekipet kryesore të Austrisë ia kanë ringjallur etjen për jetë.

Danylo, 10 vjeç, iku nga Kievi me familje në mars, dhe me vete nuk mori më shumë se rrobat e trupit, sipas nënës së tij. Pas një jave në kufirin e Austrisë me Hungarinë, ata mbërritën në Vjenë, ku u pritën nga miqtë e vet.

“Ai e mori vetëm një çantë shpine me një top dhe këpucët e futbollit, asgjë tjetër. Familja jonë kishte vetëm një çantë të vogël më rroba, i harruam të gjitha gjërat e tjera”, tha nëna e tij Giuliana Astion për Reuters.

Danylo kishte ushtruar për klubin ukrainas Dynamo Kyiv dhe menjëherë pasi mbërriti në kryeqytetin e Austrisë, ata e kontaktuan Rapid Viennan, klubin austriak që e mori atë në prova.

Ai tani luan për ekipin e 11-vjeçarëve të Rapi Viennas.

“Shkuam atje me Danylon dhe për pak fillova të qaj. Ai nuk qeshi për javë të tëra kur erdhën në Vjenë, dhe papritmas, kur filloi të luajë futboll përsëri, ai filloi edhe të qeshë përsëri. Ai më tha, ‘Hej mama, shiko, po luaj sërish’”, tha ajo.

Trajneri i tij, Matus Kukla, thotë se ai është njëri prej lojtarëve më të mirë për moshën e tij dhe se po lulëzon në Vjenë, pas Ukrainës, ku lojtarët e rinj i mundojnë më shumë.

“Jeta në Vjenë është ashtu-ashtu. Po të mundja, do të isha kthyer në Ukrainë. Dy shokë janë në Itali e dy në Spanjë, ndërsa disa tjerë qëndruan atje (në Ukrainë)”, tha Danylo, i cili shpreson se një ditë do të luajë për Real Madridin apo rivalin e Rapidit, Red Bull Salzburg.

Ndërkohë, ai do e ndjek Kupën e Botës, ku Argjentina do të përballet me Francën në finale të dielën, të dyja në kërkim të titullit të tretë të botës.

“Shpresoj se Franca do të fitojë”, nënvizoi ai.

Lajme të ngjashme