Empoli ‘e shkatërron’ Juventusin, zonja e vjetër pëson goditjen e dytë brenda pak orëve - NACIONALE

Empoli ‘e shkatërron’ Juventusin, zonja e vjetër pëson goditjen e dytë brenda pak orëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dënimi prej 10 pikësh nuk ishte goditja e vetme që Juventus mori sot, pasi tani zonja e vjetër ka pësuar humbje 4:1 në udhëtim te Empoli, duke ia vështirësuar vetës rrugën për një kualifikim në Ligë të Kampionëve.

Me një ndeshje të mbetur që kishte skuadra e Massimiliano Allegrit, ende ishin gjasat e mëdha që ata të kualifikoheshin në garën më të fortë evropiane, pasi me një fitore eventuale do të afroheshin me Milanin në vetëm dy pikë, me një ndeshje direkte mes këtyre dy skuadrave në fundjavën e ardhshme që do të ishte vendimtare, por asgjë nuk shkoi në të mirë të Juventusit sot.

Juventusi e pati një dominim të lehtë në këtë takim, pasi patën posedimin e topit dhe krijuan më shumë gjatë 90 minutave lojë, ndonëse motivi te futbollistët dukej se kishte rënë, pasi mësuan për dënimin para fillimit të ndeshjes.

Vendasit shënuan dy gola në pjesën e parë dhe dy në të dytën, me mysafirët që shënuan vetëm një në fund të takimit për epilogun final 4:1.

Ishte Francesco Caputo që shënoi fillimisht për 1:0 nga penalltia në minutën e 18-të.

Ndërsa për 2:0 shënoi qendërmbrojtësi Luperto tre minuta më vonë, pas një tollovie në zonën e rrezikshme.

Zonja e vjetër ishte e pafuqishme dhe nuk arriti të ndryshonte diçka në rezultat.

Me të filluar pjesa e dytë, Empoli shënoi edhe një gol. Ishte përsëri Caputo, me golin e tij të dytë personal dhe për rezultatin 3:0 që shënoi në minutën e 48-të.

Krejt çfarë zonja e vjetër arriti të bënte deri në fund ishte një gol i shënuar nga Federico Chiesa në minutën e 86-të, për rezultatin 3:1.

Ndërsa Empoli shënoi edhe golin për rezultatin final 4:1 në minutat shtesë, me anë të Roberto Piccolos.

Juventusi tani pas 36 xhirove është e shtata në Serie A me 59 pikë, pesë më pak se Milani që mbanë pozitën e fundit që dërgon në Ligë të Kampionëve, ndërsa para tyre janë edhe Atalanta me 61 pikë e Roma me 60 pikë.

Në anën tjetër, Empoli ka lëvizur në pozitën e 14-të me fitoren e sotme, edhe pse mbijetesën e ka siguruar në xhiron e kaluar.

Lajme të ngjashme