Emërllahu: Sivasspori e meritoi fitoren
Mesfushori i Ballkanit, Lindon Emerllahu, foli pas ndeshjes me Sivassporin, ku tha se patën rastet por mungoi konkretizimi. Ai shtoi se në pjesë të dytë skuadra turke luajti më mirë dhe meritoi fitoren.
"Patëm raste. Njëjtë edhe në pjesën e dytë patëm disa raste tjera. Kur nuk i shfrytëzon rastet, pastaj kundërshtari të dënon. Ata në dy raste shënuan dy gola. Na mungoi paksa tranzicioni. Në pjesën e parë ishim ne më të mirë, kurse në pjesën e dytë ishte Sivasspori ekip më i mirë. Kështu që, mendoj se e meritoi fitoren".
Në anën tjetër sulmuesi, Albion Rrahmani, i ka kërkuar falje tifozëve për rastet e humbura dhe premtoi se do të kthehen më të fortë në ndeshjet e ardhshme.
Ai shtoi gjithashtu se shanset ekzistojnë ende dhe do të luftojnë për një kualifikim tutje.

"Është shumë zhgënjyese të humbësh kështu. Patëm rastet e 100% që mundnim ta mbyllnim ndeshjen që në pjesë të parë. u kërkoj falje tifozëve në Therandë për golat e humbura.
I pësuam dy gola me devijime. Dy gola shumë të lehta. Nuk arritëm të riktheheshim që ta barazonim rezultatin. Uroj që të rikthehemi te rezultatet pozitive në ndeshjet e ardhshme.
"Patjetër që shpresa ekziston nëse i fitojmë të dy ndeshjet dhe atëherë do të mund të kualifikohemi", tha ai.
Korenica: Do të japim maksimumin deri në fund
Fantazisti Meriton Korenica, tha se humbja ishte shumë e rëndë dhe se iu mungoi fati. Ai premtoi se do japin maksimumin deri në fund dhe nuk do të dorëzohen.

"Kjo është një disfatë goxha e rëndë për ne. Sot nuk kishim shumë fat, pasi kishim shumë raste për shënim. Ekipi nuk duhet të demoralizohet. Nuk mendoj që ekipi ishte në presion. Secili lojtar i yni është profesionist. Do të japim maksimumin deri në fund. Do t'ia lëmë kohës dhe në fund do të shohim se çfarë do të ndodhë".
Jashanica: Të punojmë më shumë që mos të përsëriten gabimet
Mbrojtësi, Bajram Jashanica, ka thënë se lodhja ndikoi në humbje dhe tha se duhet të punojnë më shumë që gabimet mos të përsëritën më.
"Faza e mbrojtjes fillon nga sulmi. Të gjithë duhet të kthehemi mbrapa linjës së topit. Duhet të punojmë më shumë që mos t'i përsërisim këto gabime. Lodhja ndikon. Jemi munduar në këto ditë që kishim në dispozicion që të rikuperonim sa më shumë energji. Jemi munduar edhe sot që ta jepnim maksimumin prej vetes, por pranuam dy gola që ndoshta s'është dashur t'i pranonim".
