Elbasan Rashani largohet nga grumbullimi si pasojë e lëndimit
Kombëtarja e Kosovës do të jetë pa sulmuesin Elbasan Rashani për dy ndeshjet e qershorit.
“Dardanët” kanë dy sfida jetike sa i përket kualifikimit të mundshëm në Kampionatin Evropian, mirëpo këtë duhet ta bëjnë pa shërbimet e yllit të Clermontit.
FFK-ja me anë të një komunikate tregoi se Rashani ka pësuar lëndim në stërvitje dhe si pasojë nuk do të jetë i pranishëm për ndeshjet ndaj Rumanisë, respektivisht Bjellorusisë.
“Mesfushori sulmues i Kombëtares së Kosovës, Elbasan Rashani ka pësuar një lëndim, për shkak të të cilit nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Alain Giresse për dy ndeshjet kualifikuese kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë për Euro 2024.
“Pas lëndimit Rashani iu ka nënshtruar ekzaminimeve të hollësishme mjekësore nga stafi mjekësor i Kombëtares. Pasi u vlerësua ndjeshmëria e lëndimit, u vendos që lojtari të lirohet nga grumbullimi dhe të vazhdojë procedurat e rikuperimit. Stafi i Kombëtares i uron Elbasanit rikthim sa më shpejt në fushën e gjelbër dhe shpreson që ai do të jetë i gatshëm e në formë për ndeshjet e shtatorit”, shkroi FFK.
Kujtojmë, Kosova nesër do ta ketë ndoshta sfidën më të vështirë kundër Rumanisë në “Fadil Vokrri”, kurse tre ditë më vonë udhëton për në Hungari ku e pret Bjellorusia.