El Clasico: Real Madrid dhe Barcelona përplasen në klasiken drithëruese
Lideri i La Ligas, Real Madridi, futet në 'El Clasico, të dielën, në kërkim të fitores së gjashtë rresht kundër Barcelonës, por e pret një test i vështirë kundër skuadrës së këndellur të Xavit.
Këta dy gjigantë evropianë tashmë kanë zhvilluar dy ndeshje këtë sezon, me djelmoshat e Carlo Ancelottit që fituan ndeshjen e ligës në 'Camp Nou', para se gjithashtu të triumfonin ndaj rivalit katalunas, në vazhdimet e përballjes së Super Kupës së Spanjës.
Kjo do të jetë 'El Clasico' e parë në 'Bernabeu', që nga marsi i vitit 2020, pasi Real Madridi u rikthye në stadiumin ikonik më herët këtë sezon. Ndeshja e së dielës do të luhet me kapacitet të reduktuar - 60 mijë fansa prezentë.
Reali do ta fillojë ndeshjen me 15 pikë më shumë se vizitorët, të cilët renditen në vendin e tretë - prapa Sevillas - dhe janë të pamposhtur në ligë që nga 4 dhjetori, kur Xavi pësoi humbjen e vetme në kompeticion, kundër Real Betisit.
Gjithashtu do të jetë një 'Clasico' që do të duket ndryshe për sy - asnjëra skuadër nuk do të luajë me ngjyrat tradicionale, me Realin që paraqitet me fanella të zeza për të shënuar përvjetorin e 120 të klubit këtë muaj, ndërsa Barcelona luan me fanella verdh e kaltër, ngjyrat e flamurit katalunas.
Për çka luftohet?
Për Real Madridin, është në pyetje krenaria dhe lavdërimi për fitore në 'El Clasico', pasi aktualisht kryeson me 10 pikë më shumë se përcjellësi më i afërt, Sevilla. Mirëpo, më herët këtë javë, Ancelotti përmendi ndeshjen kur skuadra e atëhershme e tij, Milani humbi një epërsi 3-0 në finale të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit, më 2005, duke aluduar se gara për titull nuk kishte përfunduar.
Barcelona, ndërkohë, po lufton për top katërshe, në mënyrë që ta sigurojë pjesmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Katalunasit nuk kanë dështuar të sigurojnë një vend që dërgon në elitën e futbollit evropian, që prej sezonit 2003/04, kur Xavi ishte lojtar.
Kjo ishte gjithashtu hera e fundit kur Barcelona dështoi të siguronte fazat përtej grupeve në Ligën e Kampionëve, deri në këtë fushatë, me Xavin që nuk arriti të shpëtojë fazën e grupeve të skuadërs, pasi zëvendësoi Ronald Koemanin në nëntor, derisa zuri vendin e tretë - pozitë që dërgon në garat e Europa Ligës.
Kush bën dallimin?
Real Madridi do të jetë pa sulmuesin në top formë, Karim Benzema, i cili ka shënuar 22 gola në 25 ndeshje në La Liga këtë sezon, pasi pësoi një lëndim në kofshë në fitoren 3-0, kundër Mallorcas, të hënën.
"Ne kurrë nuk ndërmarrim rreziqe", tha Ancelotti. "Ai nuk mund të luajë sepse nuk është stërvitur, ai nuk ndihet rehat. Është një lëndim i vogël. Karim është 34-vjeçar, mund të ndodhë".
Ancelotti është i bindur se ka opsione për të zëvendësuar Benzeman dhe mes tyre janë Gareth Bale, Mariano Diaz dhe Luka Jovic, ndërsa italiani do të konsiderojë gjithashtu aktivizimin e Iscos dhe Rodrygos në atë pozicion.
Në anën tjetër, Barcelona ka gjetur një super sulmues në Pierre-Emerick Aubameyangun, i cili shënoi golin e fitores në Ligën e Evropës, kundër Galatasaray, të enjten - goli i shtatë i tij në dhjetë ndeshje, prej kur erdhi si transfer i lirë nga Arsenali.
"Klasikja është ndeshja më e madhe në botë, sigurisht, sepse të gjithë flasin për këtë ndeshje, edhe kur jemi jashtë lojës", tha 32-vjeçari.
"Do të thotë shumë për të gjithë në klub dhe normalisht se e di si shkojnë derbit. Kam luajtur disa në të kaluarën, dhe është kjo ndjesi për diçka të veçantë, diçka ndryshe, dhe kjo është ajo që na pëlqen".
Forma e Aubameyangut është kontrast i madh me muajt e fundit në Londër, kur gabonezi kishte humbur pozitën nën urdhërat e trajnerit, Mikel Arteta, i cili gjithashtu e kishte 'zhveshur' nga shiriti i kapitenit.
Xavi, megjithatë, tha se ishte me fat që e ka atë në skuadër.
"Auba ka qenë një dhuratë nga parajsa", tha ai, pasi sulmuesi shënoi në fitoren 4-0 kundër Osasunas, fundjavë e kaluar, duke e quajtur atë "lojtar pozitiv" dhe një "privilegj për ta stërvitur".