Eintracht Frankfurt ia bën 'bajat' Bayern Munichut, Bavarezët pësojnë humbjen e parë të sezonit
Eintracht Frankfurt ia ka pësuar humbjen e parë Bayern Munichut në këtë sezon të Bundesligës dhe atë duke e mposhtur me rezultat të thellë 5:1, me bavarezët që tani mbesin tre pikë prapa liderit Bayer Leverkusen, që janë skuadra e vetme pa humbje.
Skuadra e Thomas Tuchel kishte një seri fantastike në elitën gjermane të futbollit, ku kishte shënuar gjashtë fitore radhazi, por Frankfurt në shtëpinë e saj u tregua fare pa mëshirë.
Sulmuesi Omar Marmoush e gjeti golin e parë vetëm 12 minuta pasi filloi takimi, për ta çuar Frankfurtin në epërsi 1:0.
Ky gol nuk i mjaftoi vendasëve, pasi deri në fund të pjesës së parë shënuan edhe dy gola të tjerë. Ishte fillimisht Eric Ebimbe që shënoi për 2:0 në minutën e 31-të, ndërsa pesë minuta më vonë Hugo Larsson shënoi për 3:0.
Bayern Munich krejt çfarë bëri në 45 minutat e para, ishte një gol i shënuar nga kapiteni Joshua Kimmich, për 3:1, me të cilin rezultat përfundoi pjesa e parë.
Skuadra e udhëhequr nga Dino Toppmoller shënoi edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë, për ta bërë edhe më të dhimbshme humbjen për kampionin gjerman.
Ebimbe shënoi golin e dytë personal në minutën e 50-të, për rezultatin 4:1, ndërsa Ansgar Knauff në minutën e 60-të shënoi për shkatërrimin e Bayernit, 5:1.
Me këtë rezultat përfundoi ndeshja dhe për Bayern Munich ishte humbja e parë në këtë sezon, duke humbur mundësinë të barazohej me pikë me liderin Bayer Leverkusen, që tani ka tre pikë më shumë në krye të Bundesligës, e pamposhtur akoma.