Edon Zhegrova e Arbër Hoxha sot pritet ta konfirmojnë vendin e tyre në Ligë të Kampionëve - NACIONALE

Edon Zhegrova e Arbër Hoxha sot pritet ta konfirmojnë vendin e tyre në Ligë të Kampionëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sot do të mësohen edhe katër skuadrat e fundit që do të marrin pjesë në sezonin e ri të Ligës së Kampionëve.

Edon Zhegrova me Lillen dhe Arbër Hoxha me Dinamo Zagrebin janë shumë afër për ta konfirmuar vendin e tyre për herë të parë në garën më të fortë për klube evropiane.

Pas Albion Rrahmanit, Ermal Krasniqit, Qazim Laçit e Indrit Tucit, numri i shqiptarëve në Ligë të Kampionëve pritet të rritet në formatin e ri të kësaj gare.

Lille fitoi 2:0 në shtëpi ndaj Slavia Pragës një javë më parë, ku ylli i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, shkëlqeu me gol të jashtëzakonshëm.

Në anën tjetër, edhe më afër një vendi në Ligë të Kampionëve është, Arbër Hoxha.

Sulmuesi kosovar i Kombëtares së Kosovës, luajti për 63 minuta në ndeshjen ku Dinamo Zagreb e fitoi 3:0 në shtëpinë e saj ndaj Qarabag një javë më parë, teksa sot e kanë krejtësisht në dorë kualifikimin në garën më prestigjioze evropiane për klube.

Përballja mes Qarabag e Dinamo Zagreb fillon në orën 18:45, teksa ajo mes Slavia Pragës e Lilles në ora 21:00.

Kujtojmë se Edon Zhegrova ka shënuar dy gola në tri ndeshje në sezonin e ri për Lillen, por të gjitha në kualifikime për Ligë të Kampionëve, pasi nuk ka luajtur akoma në elitën franceze për shkak të pezullimit nga sezoni i kaluar ku ishte ndëshkuar me karton të kuq sa ishte në bankë rezervë në ndeshjen e fundit të sezonit.

Lajme të ngjashme