Edhe pse rinovoi, Paulo Dybala prapë mund të largohet nga Roma
Sulmuesi Paulo Dybala mund të largohet në verë nga Roma, pavarësisht që së fundmi e rinovoi kontratën deri në verën e vitit 2026.
Argjentinasi kishte një klauzolë në kontratë, që automatikisht ia vazhdonte qëndrimin edhe për një vit në rast që arrinte një numër të caktuar të ndeshjeve për edicionin 2024/25.
Dybala tashmë ka zhvilluar 24 paraqitje në Serie A dhe Ligën e Evropës, prandaj iu rinovua kontrata në mënyrë automatike edhe për një vit.
Pavarësisht kësaj, Dybala prapë mbetet më afër largimit nga Roma në verë, me raportimet që ka marrë ofertë të çmendura financiare nga Arabia Saudite, si dhe spekulimet për një lëvizje të mundshme te Chelsea.
Argjentinasi mund të largohet nga Roma në verë, atë për vetëm 12 milionë euro, që është klauzola e lirimit, e cila ishte në fuqi edhe në kontratën e fundit.
Dybala megjithatë me ardhjen e Claudio Ranierit në krye, arriti ta fitonte vendin titullar, duke zhvilluar tetë ndeshje nga minuta e parë deri këtë të diele, ku u la në stol në fitoren 2:1 ndaj Udineses.