Edhe Nacho mungon ndaj Shqipërisë
Mbrojtësi i Real Madridit Nacho Fernandez nuk do të paraqitet nesër për Spanjën ndaj Shqipërisë.
Gazeta e madhe spanjolle “Marca” raporton se Nacho do t’i shtohet listës së lojtarëve që do të mungojnë shkaku i lëndimit, pranë Ayoze Perezit të Real Betisit.
Sipas raportit, Nacho ka probleme fizike andaj përzgjedhësi Luis de la Fuente nuk mund të llogarisë në lojtarin, së paku jo në përballjen ndaj “Kuq e Zinjve” të hënën mbrëma.
Megjithatë, Nacho do të jetë plotësisht i gatshëm për fazën e eliminimit direkt, ku Spanja veçse e ka siguruar avancimin tutje ndërsa lojën e fundit ndaj Shqipërisë pritet ta luajë me ekipin e dytë.
Shqipëria ndërkohë mbetet në garë për kualifikim, megjithatë ka nevojë t’i arkëtojë pikët e plota ndaj Spanjës të hënën në Dusseldorf me fillim nga ora 21:00.