“E vrisni portierin”, Cannavaro kritikon Amir Rrahmanin për golin e pranuar
Ish fituesi i Topit të Artë Fabio Cannavaro e ka fajësuar mbrojtësin Amir Rrahmani për golin e pranuar të mëkurën mbrëma nga Barcelona.
Kapiteni i Kosovës zhvilloi një paraqitje solide ndaj Barcelonës, por gaboi te goli që shënoi Robert Lewandowski, pasi nuk arriti ta largojë pasimin e Pedrit, që e gjeti të lirë polakun.
Cannavaro e ka kritikuar Rrahmanin dhe Di Lorenzon që s’reaguan para gjuajtës së Lewandowskit, ku si pasojë e “vranë portierin”.
“Nëse një mbrojtës e lë topin të kalojë në këmbët e tij, si Rrahmani në fillim e pastaj Di Lorenzo më vonë, ju po e vrisni portierin tuaj”.
“Rregulli numër një për një mbrojtës është të mos lejosh kurrë që ai top të kalojë nëpër këmbët e tua. Detyra juaj parësore është të ndaloni topin të kalojë”.
“Pastaj Lewandowski bën shumë mirë, por në fund të fundit ky ishte i vetmi vend nga ai mund të shënonte”, nënvizoi Cannavaro.
Napoli megjithatë arriti ta nxjerrë një barazim me golin e Victor Osimhenit dhe ndeshja kthyese do të zhvillohet më 12 mars 2024 në “Estadi Olimpic Lluis Companys”.