E papritur, djali i Buffon merr ftesë nga Republika e Çekisë
Djali i legjendës Gigi Buffon, Louis Thomas ka marrë ftesën e parë për grupmoshën U18, megjithatë nga Republika e Çekisë dhe jo Italisë.
Thomas Buffon luan në pozitën e mesfushorit ose anësorit të majtë, ndërsa që një kohë është në ‘radarin’ e Italisë, ngase ishte vëzhguar edhe nga fituesi i Kupës së Botës 2006 Pippo Inzaghi.
Megjithatë, adoleshenti ka marrë ftesë nga grupmoshat U18 të Republikës Çeke. Kjo ka ndodhur shkaku se nëna e tij është çeke, pra Alena Seredova, prandaj ka edhe nënshtetësinë e dytë.
“U pajtuam me nënën e tij Alena Seredova se e duam Louis Thomas në ndeshjet e tyre. Nuk e di çfarë mendon Gianluigi Buffon, por sapo mësoi për prezencën e tij në listën tonë, ai u kontaktua nga Italia. Unë u kujdesa vetëm për të organizuar gjithçka të nevojshme me nënën e tij, në mënyrë që ai të merrte pjesë në kampin stërvitor me ekipin”, deklaroi drejtori teknik i kombëtares çeke Erich Brabec.
Lajmi i mirë për Italinë është se lojtari mund ta ndryshojë nënshtetësinë në rast që s’luan në ekipin A, gjithnjë në rast që Buffoni i ri do ta tregojë kualitetin.
Edhe pse ende nuk ka debutuar në elitë, ai ka shënuar katër gola në 18 paraqitje për Pisa Primavera këtë sezon.