E kryer, Marco Asensio vendos t’i bashkohet PSG-së
Sulmuesi Marco Asensio ka vendosur t’i bashkohet Paris Saint-Germain kur kontrata me Real Madridin t’i skadojë në verë.
Siç raporton “The Athletic”, 27-vjeçari ka arritur marrëveshje afatgjatë me gjigantin francez ku do të fitojë 10 milionë euro për vit, duke përfshirë bonuset.
Kontrata ende s’është nënshkruar por pritet të finalizohet pasi Real Madrid ta zhvillojë ndeshjen finale në La Liga, në “Santiago Bernabeu” kundër Athletic Bilbaos të dielën.
Spanjolli gjithashtu kërkohej me ngulm nga skuadra e Premierligës, Aston Villa, që po përgatiteshin një ofertë mjaftë luksoze por mesa duket kampioni i Francës ka fituar këtë garë.
Asensio ka qenë në negociata me Real Madridin që nga fillimi i vitit të re dhe ka pasur një propozim në tavolinë, mirëpo pastaj vendosi ta refuzojë.
🚨 Marco Asensio has decided to join Paris Saint-Germain. 27yo forward’s Real Madrid contract ending + set to join #PSG on long-term deal. Not signed yet but expected to be concluded after #RMFC’s last La Liga game on Sun. W/ @GuillerRai for @TheAthleticFC https://t.co/HqCr1gKl05
— David Ornstein (@David_Ornstein) June 1, 2023
Anësori ka qenë pjesë e Madridit që shtatë vite që kur nënshkroi nga Mallorca në vitin 2014. Ai ka bërë 50 paraqitje këtë edicion duke realizuar 12 gola dhe dhuruar tetë asistime.
Gjatë kësaj kohe, Asensio ka fituar 17 trofe: 3 herë Ligën e Kampionëve, 3 herë La Liga-n, 4 Kupa të Botës për klube, 3 Superkupa Evropiane, 3 Superkupa të Spanjës dhe një Kupë të Mbretit.
Pse Asensio po largohet nga Real Madridi?
Në një analizë të bërë nga gazetari më i besueshëm sa i përket Realit, Mario Cortegana, arsyeja pse Asensio po largohet nga “Santiago Bernabeu” s’ka të bëjë fare me paratë.
Sipas tij, spanjolli dëshiron të ndihet i rëndësishëm dhe në bisedën me trajnerin Carlo Ancelotti e ka kuptuar që nuk do ta ketë rëndësinë që priste.
Pa Asensio, Mariano Diaz dhe tani Karim Benzema – Real Madridi ka mbetur vetëm me disa sulmues, si Vinicius Junior dhe Rodrygo pasi Federico Valverde ka kërkuar të rikthehet në mesfushë.
Eden Hazard nuk ndodhet në planet e Ancelottit ose të klubit madrilen por do të vazhdojë të qëndrojë derisa kontrata t’i skadojë. Madridi është në bisedime me Brahim Diazin (i huazuar te AC Milan) për rinovimin e kontratës dhe tani ky i fundit ka gjasa të mëdha të rikthehet në ekipin e parë.