E konfirmon Pochettino: Armando Broja mungon ndaj Brenfordit
Trajneri Mauricio Pochettino ka konfirmuar se sulmuesi Armando Broja do të mungojë edhe ndaj Brentfordit.
Chelsea do ta zhvillojë një sfidë jo të lehtë ndaj “Bletave”, pasi kanë një numër të madh mungesash.
Në konferencë për shtyp, Pochettino komentoi lëndimet – ku një ndër ta ishte edhe shqiptari që mungoi edhe në derbin londinez kundër Arsenalit.
“Armando nuk do të jetë i gatshëm. Ai do të mungojë në ndeshjen e nesërme”.
Ndër të tjera, Pochettino shtoi se Reece James s’do të jetë nga minuta e parë dhe që transferimi i verës Christopher Nkunku është afër që ta lërë lëndimin anash dhe të kthehet në stërvitje.
“Reece po bën mirë, por jo, ende s’është gati për të qenë nga minuta e parë. Ai po kalon mirë dhe është vërtetë afër. Për momentin, do të jetë në stol”.
“Nkunku, po bën shumë mirë dhe është shumë afër (që të kthehet në stërvitje). Është lojtar fantastik, lojtar i madh për ne dhe shpresoj që të përfshihet sa më parë”.
Përballja mes Chelseas dhe Brentfordit zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 20:30.
“Blutë” e Londrës kanë nevojë vetëm për pikët e plota pasi momentalisht renditen në pozitën e 11-të në tabelë me vetëm 12 pikë të mbledhura.