E konfirmon Barcelona: Xavi do të qëndrojë, është i duhuri për ne
Trajneri Xavi Hernandez do të vazhdojë te Barcelona edhe për sezonin tjetër, këtë e ka konfirmuar zëvendëspresidenti Rafa Yuste.
Yuste ka deklaruar se tekniku katalunas është shumë i lumtur në “Camp Nou”, ndërsa të gjithë brenda klubit i besojnë se mund ta përmirësojë skuadrën.
“Xavi do të qëndrojë, ai është shumë i lumtur”.
“Nuk kemi hapur bisedimet me asnjë trajner tjetër. Gjithashtu Deco i beson Xavit, është e garantuar”.
Ndër të tjera Yuste konfirmoi se nga sezoni tjetër Barcelona duhet të fitojë tituj.
“Xavi i beson projektit tonë. Mund të bëjmë gjëra të mira së bashku”.
“Na duhet të fitojmë tituj, të gjithë e dimë këtë. I besojmë Xavit, është i duhuri për Barcelonën. Ai do të jetë pjesë e Barcelonës në Camp Noun e ri”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, Barcelona ka njoftuar konferencë për media në mesditë, ku pritet të konfirmohet vazhdimi i Xavit edhe për një sezon.
Xavi kishte njoftuar largimin në janar, megjithatë pas përpjekjeve të vazhdueshme nga bordi katalunas zgjodhi ta ndryshojë mendjen dhe tani do të qëndrojë edhe për sezonin 2024/25.
Përndryshe, Barcelona pritet ta mbyllë pa trofe këtë sezon ngase janë eliminuar nga të gjitha kompeticionet dhe janë 11 pikë prapa Real Madridit, me gjashtë xhiro të mbetura deri në fund.