E ardhmja e Paulo Dybalas ende në dyshime
Sulmuesi Paulo Dybala është duke dëshmuar të jetë hero te Roma, por e ardhmja e tij mbetet në dyshime shkaku që ka vetëm 18 muaj të mbetur në kontratë.
Argjentinasi ishte i mrekullueshëm në fitoren ndaj Torinos të hënën, duke shënuar një het-trik që e ndihmon Romën të luftojë për top katërshe.
Dybala kishte mundësi për t’u larguar nga Roma qysh këtë afat kalimtar dimëror, me dy klube arabe që u përgatitën t’ia paguanin klauzolën e lirimit në vlerën e 12 milionë eurove mirëpo e informoi klubin se dëshiron të qëndrojë.
Megjithatë, “Gazzetta dello Sport” raporton se Dybala më shumë kënaqësi do të mirëpriste nisjen e negociatave për rinovim por menaxhmenti i klubit ka vendosur t’i shtyjë negociatat derisa një drejtor sportiv i ri të arrijë në fundin e sezonit.
Një numër i klubeve të mëdha, si në Premierligë ashtu edhe në Arabinë Saudite pritet t’i bëjnë gjithashtu ofertë argjentinasit, andaj e ardhmja e tij mbetet në dyshime.
Këtë sezon, Dybala ka shënuar 12 gola dhe dhuruar gjashtë asistime në 25 paraqitje në të gjitha garat.