Dy superpërballje sonte: Man United apo Atl Madrid në çerekfinale?
Sonte, e martë, 15 mars, zhvillohen dy ndeshje të kthimit në kuadër fazës së eleminimit direkt të Ligës së Kampioneve, teksa vëmendja më e madhe është tek ajo ndërmjet Manchester Unitedit dhe Atletico Madridit, ndërsa në takimin tjetër ndeshen Ajaxi dhe Benfica. Të dy ndeshjet zhvillohen me fillim nga ora 21:00.
“Teatri i Ëndrrave” do të jetë nikoqir i një ndeshjeje tejet interesante, me “Djajtë e Kuq” që presin kampionët aktual të Spanjës. Pas takimit të parë, i cili përfundoi me barazim, e gjitha mbetet të vendoset sot në lojën e kthimit. Me Cristiano Ronaldon në formë të lartë pas ndeshjes së fundjavës ku shënoi hat-trick, padyshim se pritet që ai të jetë lojtari kyç i anglezëve. Sa i përket madrilenëve, nuk është se ka ndonjë figurë individuale që mund ta mbajë ekipin mbi supe, pasi loja kolektive është prej veçantive më të theksuara te ta.
Në ndeshjen e parë në Spanjë, takimi u mbyll me rezultat 1-1. ‘Los Colchoneros’ humbën epërsinë e minutës së shtatë, kur shënuan përmes Joao Felixit, falë një goli nga Anthony Elanga që balancoi gjërat në minutën e 80 për Unitedin, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Tashmë dihet që goli si mysafir nuk e ka rëndësinë siç e kishte, por që është një përparësi psikologjike për anglezët. Ronaldo është një prej atyre futbollistëve që shkëlqen në momente vendimtare dhe sigurisht se të njejtën gjë pritet ta bëjë edhe sonte.
Portugezi është deklaruar para ndeshjes, duke thënë: “Sot është kjo dita që e presim të gjithë të vijë, është shansi që t’i tregojmë botës pse ‘Old Trafford’ njihet si ‘Teatri i Ëndrrave’. Le të krijojmë një atmosferë të çmendur siç e bëmë në fundjavë. Ta mbajmë ëndrrën gjallë për kualifikimin tutje, sepse ne jemi Manchester United, le ta bëjmë të gjithë së bashku. Përpara, ‘Djajt të Kuq’!”.
Në anën tjetër, trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, u shpreh në deklaratën para ndeshjes: ”Presim lojë dinamike në vizitën tonë në ‘Old Trafford’, me lojtarët që ne kemi në dispozicion si dhe kundërshtari me kualitetin që ka, e gjitha çfarë mund të them është se do kemi një lojë tejet dinamike dhe do të vendosin momentet e vogla.
“Ne do të shtyjmë fort me presion të lartë, është nga ato ndeshjet me adrenalinë të lartë dhe e kuptoj që përparësia psikologjike është tek ata që janë vendas, por mendoj se e kemi mundësinë që, nëpërmjet gabimeve të tyre, të gjejmë hapësirat dhe me kundërsulme t’i dënojmë”.
Ndeshja tjetër që zhvillohet sonte është ndërmjet Ajax dhe Benficas, e cila ka po aq vlerë sa ndeshja tjetër, por që kryefjala i takon takimit në ‘Old Trafford’.
Ndeshja e parë mes dy skuadrave që konsiderohen më pak favoritë në këtë kompeticion është ndarë në paqe me rezultat 2:2, ku si vendase luajti Benfica, e cila arriti ta sigurojë një barazim të vlefshëm, para ndeshjes së kthimit sonte. Përballja e sotme që zhvillohet në Amsterdam të Holandës, është e rëndësishme për të dyja skuadrat, me Ajaxin, e cila po lufton në të dy frontet, teksa kryeson edhe në ligën holandeze, si dhe me Benfican e cila tashmë fokusin kryesor e ka në Ligën e Kampioneve sepse garën për titull ne Portugali tashmë e ka humbur, duke mbetur larg nga kreu i tabelës.
Trajnerët ishin fjalë pak para ndeshjes, me Erik Ten Hag që tha: ”Kemi nevojë të shfaqemi më gjakftohtë para portës dhe duhet të mos bëjmë gabimet e njëjta si në ndeshjen e kaluar.”, kurse homologu i tij, Nelson Verissimo, tha: ”Duhet të jemi në nivel të lartë për t’i mposhtur kundërshtarët tonë. Do të luajmë në një stadium legjendar, i cili bart emrin e ikonës së futbollit botëror, Johan Cruijff.”