Drita sot prezanton Arsim Thaqin
Klubi futbollistik Drita gjatë ditës së mërkurë do ta zyrtarizojë ardhjen e trajnerit Arsim Thaqi, si pasuesi i Ardian Nuhiut.
“Intelektualët” ndanë rrugët me Nuhiun pas eliminimit të hershëm nga Kupa e Kosovës, pavarësisht që janë lider në Superligën e Kosovës me pikë të barabarta me Ballkanin.
Sidoqoftë, Drita ka përfunduar edhe çështjen e trajnerit të ri, pasi kanë arritur marrëveshje me teknikun malishevas Arsim Thaqi.
Gazeta Nacionale me burime mëson se gjithçka ka përfunduar mes klubit gjilanas dhe ish trajnerit të Malishevës, përfshirë nënshkrimin e kontratës.
Përpos kësaj, burimet shtojnë se zyrtarizimi do të kryhet ditën e mërkurë, më gjasë gjatë mesditës.
Arsim Thaqi i zgjedhuri te Drita
Që disa javë Drita ka përpiluar një listë me trajnerë të mundshëm që mund të jenë pasues të Nuhiut dhe në fund vendosen për vetë Thaqin.
Thaqi ka dëshmuar vetën si trajnerë këto vitet e fundit edhe pse nuk e ka fituar titull, duke bërë disa arritje siç ishte me Malishevën – pra i inkuadroi në Superligën e Kosovës për herë të parë në histori të klubit dhe edicionin në vijim iu siguroi ‘mbijetesën’.
Ai padyshim për objektiv tani do ta ketë titullin e Superligës së Kosovës, trofe që Drita nuk e ka fituar këto vitet e fundit edhe pse gjithnjë ka garuar deri në fund.
Kujtojmë, “Intelektualët” shpesh herë kanë mahnitur të gjithë me paraqitje të mrekullueshme në Evropë.