Drita pëson humbje në “Riza Lushta”, Prishtinën e mposht vendimi skandaloz i gjyqtarit Ajeti
Trepça ’89 ka befasuar Dritën duke e mposhtur 1:0. Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Dukagjini kundër Prishtinës, vetëm se në këtë rast kjo ndeshja la shije të hidhur, ngase gjyqtari Mentor Ajeti me një vendim të tij skandaloz ndikoi drejtpërdrejt në epilogun përfundimtar.
Dy skuadrat që ishin favorite për të nxjerrë pikë në ndeshjet e sotme të Superligës së Kosovës dolën duarbosh. Trepça ’89 u këndell pas eliminimit në Kupën e Kosovës, duke mposhtur Dritën me rezultat të ngushtë, por duke bërë përgjithësisht një paraqitje të mirë.
Në minutën e 12-të ishte Armend Gashi, golashënuesi më i mirë i skuadrës “minatore”, ai që tundin rrjetën e portës kundërshtare, pas një goditje të saktë që bëri nga pozita ballore nga rreth 20 metra distancë.
Drita u tregua e ngathtë në minutat në vijim dhe nuk arriti që ta zinte në befasi skuadrën vendëse. Kështu, rezultati përfundoi 1:0 në të mirë të Trepçës ’89. Për trajnerin Thaqi, që debutoi me Dritën në Superligën e Kosovës, ka akoma shumë punë për të bërë.
Skandali në Klinë
Gjithsesi, në ndeshjen tjetër, Dukagjini – Prishtina, u shënuan ngjarje të pazakonta dhe të çuditshme. Protagonisti kryesor i kësaj ndeshje ishte Mentor Ajeti, i cili ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
Deri në minutën e 41-të loja ishte e barabartë dhe e luftuar në mesfushë nga të dy skuadrat. Më pas ndodhi një shëmti e madhe. Gjyqtari Ajeti fillimisht urdhëroi ndalesën e lojës, pasi fishkëlleu duke udhëzuar që të mos ekzekutohej këndorja. Pa kaluar mirë as 5 sekonda nga ndalesa që ia bëri lojës, topi hyri brenda katërkëndëshit të portës së Prishtinës, pas një devijimi që bëri mesfushori Pefqeli, duke futur topin në kahjen e portës së tij.
Prishtina zëshëm u ankua duke kërkuar që një gol i tillë mos të aprovohej, meqë loja ishte e ndalur me fishkëllimë të vetë gjyqtarit kryesor Ajeti. Ky i fundit lejoi VAR-in për disa çaste që ta rishikonte aksionin
Pas rishikimit të aksionit, në formë të çuditshme, skandaloze dhe aspak të denjë, ai fishkëlleu për aprovimin e golit, duke shkaktuar një neveri të jashtëzakonshme te bankina mysafire. Prishtinasit u futën që të gjithë në fushë duke i kërkuar gjyqtarit Ajeti përgjegjësi dhe arsyetim për marrjen e një vendimi kaq skandaloz dhe arbitrar, por ai nuk u zbyth dhe rekomandoi vazhdimin e lojës.
Kështu, me rezultatin 1:0 u mbyll pjesa e parë, edhe pse tensioni në fushë dhe jashtë vijave të saj vijoi për disa çaste.
Në pjesën e dytë Prishtina pati më shumë tryesni drejt portës së Dukagjinit, por ekipi nikoqir ia doli që ta administrojë kapitalin prej një goli, duke konfirmuar një fitore të rëndësishme për të, edhe pse për formën se si erdhi s’i bën nder askujt.

