Drita i 'bindet' Intelektualëve, e shkarkon Akis Vavalisin
FC Drita me anë të një komunikate ka njoftuar se ka shkarkuar nga pozita e trajnerit, grekun Akis Vavalis, për të cilin Intelektualët më herët gjatë ditës e kishin kërkesë, pasi e shikonin atë si fajtor kryesor se pse skuadra e tyre e zemrës nuk kishte sukseset e viteve të fundit, me të fundit që ishte humbja të hënën në Superligë.
Nënkampioni i Kosovës mbajti mbledhje urgjente këtë mbrëmje, ku thanë se për shkak të humbjes së sotme 1:0 nga Prishtina, u ulën për të analizuar situatën, për më të mirën e klubit.
Komunikata e plotë e lëshuar nga klubi:
Mbyllim bashkëpunimin me trenerin Akis Vavalis
Klubi jonë FC DRITA dhe treneri Akis Vavalis kan ndërpre bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme.
Rezultati i ndeshjes së sotme ishte ajo që uli palët për të analizuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje më të mirë për klubin.
Nga të dy taboret u dakorduan që është momenti që të jetë një energji e re në krye të skuadrës.
Klubi jonë FC DRITA e falënderon trenerin Vavalis dhe stafin e tij për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe dhe ju dëshiron suksese.
FC DRITA
Intelektualët ishin të ashpër jo vetëm me trajnerin gjatë ditës, por thanë se do të hyjnë në bojkot deri sa edhe Valon Zymberi të largohet nga pozita e drejtorit sportiv, për të njëjtat arsye si trajneri.
Ata shkuan tutje duke thënë se klubi duhet të vendosë mes Akis Vavalisit e Valon Zymberit dhe tifozëve, duke paralajmëruar për veprime të mundshme, për të cilat thanë se nuk marrin përgjegjësi.
Komunikata e plotë e Intelektualëve:
Përkundër dëshprimeve të njëpasnjëshme, tash e tre sezone rradhazi, ne kemi heshtur e nuk jemi ankuar, kemi qenë prezent e kurrë skemi munguar, duke besuar në profesionalizmin dhe seriozitetin e klubit, por tanimë situata ka arritur në kulminacion!
Intelektualët 1998 deklarohen në bojkot nga sot deri në shkarkimin e trajnerit Akis Vavalis dhe drejtorit sportiv Valon Zymberi, që në sytë e gjithë tifozërisë dhe qytetit janë fajtorët kryesorë pse DRITA nuk po bën dritë e nuk po arrin qoftë edhe dy fitore rradhazi, pa folur për objektiva më madhorë që as nuk po shihen si të mundshëm në horizont!
Nuk është aspak çështje rezultatesh apo trofesh, sepse Intelektualët kanë qenë aty, edhe në periudha tre vjeçare me barazhe, në lufta për mbijetesë e edhe në liga më të ulëta. Sepse ne asnjëherë nuk kemi qenë tifoz të sukseseve apo kupave, por vetëm të DRITËS. Kemi qenë aty, të zëshëm e të pandalshëm, edhe kur skuadra nuk fitonte kurrë e nuk i kishte as 10 pikë në renditje, por tani mjaft, sepse niveli ynë i përkrahjes, fanatizmi i qytetit pas DRITËS dhe dashuria e bartur nga gjyshërit te nipat për emblemën 1947, nuk meriton të njolloset nga paaftësia e një njeriu që ka ngatërruar edhe sportin, apo paaftësia e një trajneri që ka ngatërruar edhe vendin!
Andaj, nga sot bojkotojmë tribinën deri në reflektim. Përzgjedhjen le t’a bën klubi. Ose ne ose Vavalis. Ose ne ose Zymberi. Por, paraprakisht dijeni se përgjegësi për veprimet e mundshme nuk i marrim më ne, përderisa nuk merren masa shkarkimi ndaj personave në fjalë. ULTIMATUM!
Intelektualët 1998, Gilan
27.11.2023