Drita fiton derbin lokal ndaj Gjilanit, triumfon Nikli ‘74 - NACIONALE

Drita fiton derbin lokal ndaj Gjilanit, triumfon Nikli ‘74

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Drita ka shënuar fitore minimale në derbin ndaj Gjilanit, derisa Feronikeli ’74 arkëtoi pikët e plota ndaj Dukagjinit.

Derbi më interesant ishte i Anamoravës, ku “Intelektualët” triumfuan me rezultat minimal 1:0.

Drita ishte më mirë shumicën e kohës duke pasur më shumë posedimin dhe krijuar më shumë aksione, edhe pse e finalizoi vetëm njërin.

Heroi i vendasve ishte Blerim Krasniqin që realizoi një eurogol me thembër pas një asistimi fantastik të Muharrem Jasharit (64’).

Gjilani në fakt kishte një mundësi të artë në fundin e ndeshjes, por Cale dështoi të shënonte përballë portierit nga diku gjashtë metra distancë.

Kësisoj, Drita merr pozitën e dytë me 31 pikë, shtatë më pak se Ballkani që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, derisa Gjilani tani bie në zonën e rrezikshme në pozitën e tetë me 17 sosh.

Në anën tjetër, Feronikeli ’74 ka triumfuar në shtëpi ndaj Dukagjinit me rezultat minimal 1:0.

Sfida ishte e hapur nga të dy skuadrat që provonin të ndërtonin aksione të shpejta, ose të përfitonin nga kundëraksionet.

Sidoqoftë, ishte Avdyli që realizoi golin e vetëm në minutën e 34-të, i cili për vendasit ka vlerën e tre pikëve.

Nikli tani ikën nga zona e rrezikshme duke u ngritur në vendin e shtatë me 18 pikë, derisa Dukagjini qëndron në vendin e gjashtë me 25 sosh.

Lajme të ngjashme