Drenica e Llapi avancojnë në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës
Drenica dhe Llapi janë dy skuadrat e para që kanë arritur në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi shënuan fitore me rezultat 1:0 ndaj Ferizajt dhe Malishevës, respektivisht.
Drenica u përball me Ferizajn në çerekfinale, me ndeshjen që u zhvillua në stadiumin Bajram Aliu në Skenderaj.
Vendasit e gjetën epërsinë shumë herët dhe deri në fund arritën ta menxhojnë rezultatin.
Mohamed Fofana realizoi në minutën e 13-të për 1:0 dhe deri në fund nuk pati ndryshim, ndonëse drenicasit pothuajse krejt pjesën e dytë e luajtën me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Auron Hamitit me dy kartonë të verdhë.
Drenica me këtë fitore tani avancon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, duke eliminuar një skuadër të Superligës së Kosovës nga gara.
Në përballjen tjetër mes dy skuadrave të elitës së futbollit kosovar, Llapi triumfoi ndaj Malishevës në udhëtim.
Ardit Tahiri e shënoi golin e vetëm në minutat shtesë të pjesës së parë.
Llapi mbeti pa një lojtar në momentet e fundit të takimit, por rezultati nuk ndryshoi duke fituar 1:0, për t'u bërë skuadra e dytë që avancon në gjysmëfinale.
Dy ndeshjet tjera çerekfinale të Kupës së Kosovës zhvillohen nesër.
Prishtina takohet me Vëllaznimin, ndërsa Drita udhëton te Prishtina e Re.