Dramë në Olimpico, Milani barazon ndaj Romës në ‘frymën e fundit’
Një nga ndeshjet më të dobëta të Serie A-së u zhvillua sot mes Romës dhe Milanit, ku dy goditjet e vetme në drejtim të portës erdhën në minutat shtesë të takimit, me vendasit që shënuan fillimisht, por kuqezinjtë barazuan në fund 1:1.
Skuadra e Mourinhos vinte nga një humbje e hidhur nga Atalanta pesë ditë më parë që e kishte zbritur jashtë vendeve që dërgojnë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa kuqezinjtë me fitoren ndaj Lecces rrëmbyen pozitën e katërt.
Sa i përket ndeshjes, Milani kishte dominimin në posedim të topit, por loja ishte shumë monotone, me skuadrat që asnjëra nuk arrinte të rrezikonte për asnjë çast, deri në minutat shtesë të takimit.
Kur takimi po shkonte drejt fundit, Tammy Abraham doli në skenë për të shënuar për 1:0 në minutën e katërt shtesë.
Ndonëse nuk arritën të gjuanin në drejtim të portës për 90 minuta, Milani barazoi rezultatin në sekondat e fundit me anë të Saelemakers, për të bërë që renditja në Serie mos të ndryshojë edhe për një javë.
Interi që është në ndjekje të vendit të katërt mbetet më e kënaqura nga ky rezultat, pasi gjendet vetëm tre pikë prapa Romës e Milanit.