Dita e Kombëtares së Kosovës: Dardanët synojnë fitore ndaj Rumanisë
Kombëtarja e Kosovës sot zhvillon ndeshjen më të rëndësishme, pasi përballet me Rumaninë, ku vetëm fitorja nevojitet për të shpresuar për vendin e parë në grup.
Rumania e mposhti Kosovën 3:0 në ndeshjen e parë në Prishtinë dhe e kryeson grupin C2 në Ligën e Kombeve me të gjitha fitore deri më tani, por Dardanët janë në ndjekje duke pritur për gabimin më të vogël.
Kosova është në kërkim të fitores së parë ndaj Rumanisë, pasi në tri takimet e mëhershme, rumunët fituan dy herë dhe një herë u ndanë pa gola, duke përfshirë dy ndeshje të ciklit kualifikues evropian 2024.
Dardanët, ndonëse tashmë kanë siguruar një vend në play-off, ku pritet të përballen me një vend të tretë të Ligës A për t'u promovuar në Ligën B, sërish do të tentojnë shanset për një kualifikim automatik.
Trajneri Franco Foda kërkoi nga lojtarët e tij të jenë më efikasë në këtë përballje, ndonëse përballen me disa mungesa të rëndësishme.
Rumania në anën tjetër ka nevojë vetëm për një pikë nga kjo ndeshje dhe të bëhet skuadra e parë që siguron një promovim në Ligën B.
Ky takim zhvillohet në Arena National në Rumani me fillim nga ora 20:45.
Është paralajmëruar se do të ketë masa të rrepta sigurie, pasi në takimin e fundit të zhvilluar në Rumani pati incidente dhe thirrje nacionaliste ndaj Kosovës, duke çuar në ndërprerje prej afër një ore të takimit.