Dilema e Guardiolas për përballjen ndaj Realit: Ederson apo Ortega?
Trajneri i Manchester Cityt Pep Guardiola ende s’është i sigurt se cili do të jetë portieri kryesor në derbin ndaj Real Madridit.
Ederson e ka lënë prapa lëndimin e fundit dhe arriti të ishte në stol ndaj Crystal Palace dhe Aston Villas, gjë e bën të gatshëm për t’u përballur me gjigantin madrilen.
Megjithatë, gjatë kësaj kohe ka shkëlqyer Stefan Ortega, duke bërë pritje të njëpasnjëshme.
Kësisoj, Guardiola e ka pranuar se po gjendet mes një dileme, se kujt t’ia besojë portën për çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
“Duhet të mendoj sepse Eddy vjen nga lëndimi. Ndihet mirë. Ka pak mungesë ritmi, por më duhet të vendos”.
“Por, jemi shumë të kënaqur me Stefan. Është një portier i jashtëzakonshëm”, deklaroi ai.
Përballja më interesante në çerekfinale padyshim është mes Realit dhe Cityt, ku skuadra më e trofeshme në histori të kompeticionit përballet me kampionin aktual.
Real Madrid ka një avantazh shkaku që ka pushuar plot nëntë ditë, derisa City të shtunën e kaluar triumfoi ndaj Crystal Palace.
Derbi mes Realit dhe Cityt zhvillohet në “Santiago Bernabeu” me fillim nga ora 21:00.