Di Maria: Përveç Messit të gjithë jemi të njëjtë tek Argjentina, do të vazhdoj të luaj në kombëtare
Di Maria është rrëfyer për përditshmen argjentinase “Ole”, ku edhe një herë lartësoi Lionel Messin dhe njoftoi se ka marrë vendim të ri, atë që të qëndrojë pjesë e kombëtares argjentinase edhe më tej.
“El Fideo” ishte njëri prej lojtarëve më të dalluar të Kombëtares së Argjentinës në momentet vendimtare që shënuan triumfin në Kupën e Botës Katar 2022.
Sot, në kuadër të një interviste që dha për gazetën argjentinase “Ole”, deklaroi se ka reflektuar në lidhje me të ardhmen te “Seleccion”. Ndryshe nga ajo që kishte deklaruar në të kaluarën jo fort të largët se do të pensionohej nga kombëtarja, tani kanë qenë vetë bashkëlojtarët e tij që ia kanë ndryshuar mendjen.
“Tani ndihem mirë, në një nivel shumë të mirë. Përveç Leo Messit të gjithë jemi të njëjtë dhe kush duhet të luajë, luan. Të shohim si do të shkojnë gjërat dhe si do të jem fizikisht. Këta djem më kanë bindur që të vazhdojë edhe pas Kupës së Botës”, tha ai.

Ai tha se deri kur Scaloni do të jetë i kënaqur me të, ai do të vijojë t’i mbetet besnik kombëtares.
“Do të mbetëm pjesë e kombëtares deri kur të ndiej se mund të kontribuoj ose deri kur përzgjedhësi do më thotë që nuk mund të kontribuoj më shumë”, përfundoi ai.
Ylli i Juventusit është prej lojtarëve më të dashur nga tifozët e kombëtares së tij. 34-vjeçari për momentin është i angazhuar te “Zonja e Vjetër”.
Në javët e fundit “El Fideo” ka filluar që t’i gëzojë edhe tifozët juventinë, duke aplikuar futbollin më të mirë siç di ta bëjë ai.
