Xhaka: Dhashtë Zoti që në Botërorin e ardhshëm të jenë edhe Kosova e Shqipëria
Në kuadër të emisionit sportiv “Favorit” në “T7”, mesfushori i Zvicrës, Granit Xhaka, ka dhënë një prononcim në gjuhën shqipe, ku ka folur më zgjerimisht rreth Botërori i sivjem.
Granit Xhaka do të jetë lider i Zvicrës në këtë Botëror. Megjithatë, Granit Xhaka shpreson shumë që në Botëroret e ardhshme të jenë të pranishme edhe Kosova dhe Shqipëria.
“Dhashtë Zoti që në Botërorin e ardhshëm të jenë edhe Kosova e Shqipëria”, tha ai.
Për yllin shqiptar ky do të jetë Botërori i tretë rresht. Një arritje jo e vogël, e cila vjen në momentumin ndoshta më të mirin të tij si lojtar.
“Me të vërtetë jam krenar që marr pjesë për të tretën herë në Kampionatin Botëror. Do të përpiqem që me lojën time t’i bëj krenarë gjithë shqiptarët ngado që janë dhe mesazhi im është që çdo shqiptar të ndihet krenar me mua”, shtoi ai.

Përshtypjet e Xhakës rreth grupit
Zvicra është në Grupin G së bashku me Brazilin, Kamerunin dhe Serbinë. Xhaka mendon se është një grup i fortë, por shprehet optimist se në fund kombëtarja helvetike do t’ia dalë.
“Po, është një grup i fortë. Por, unë besoj se ne do t’ia dalim ta kalojmë grupin, pasi e kemi një kombëtare të fortë dhe stabile. Të gjithë lojtarët e ftuar nga trajneri jonë janë në formë të mirë. Andaj jam optimist”, tha ai.
Formën e mirë që e ka shfaqur tek Arsenali, mesfushori shqiptar uron që ta vazhdojë edhe në Botëror me kombëtaren e tij.
“Shpresoj që edhe në Botëror të bëj paraqitje të shkëlqyeshme dhe do të angazhohem shumë për këtë. Për mua sikurse për çdo futbollist tjetër është realizim i një ëndrre pjesëmarrja në tri Botërore”, nënvizoi ai.

Për fund, Xhaka u zotua se do ta përfaqësojë me krenari kombëtaren zvicerane, aq më shumë duke ditur që ka nderin që të jetë edhe kapiten i saj.
"Unë e kam fatin që të marr pjesë në Botërorin e tretë si lojtar dhe si kapiten i Zvicrës. Si kapiten i Zvicrës besoj se do ta kryej me nder, përgjegjësi dhe respekt detyrën e kapitenit dhe do t’i qëndroj me përgjegjësi Kombëtares së Zvicrës”, përfundoi ai.
Zvicra ndeshjen e parë hapëse në Botëror do ta luajë kundër Kamerunit. Ndeshje kjo që luhet më 24 nëntor (të enjtën).

Ndërsa Granit Xhaka me Kombëtaren e Zvicrës ka një rrugëtim tejet dinjitoz. Ai ka qenë i përfshirë në grupmoshën U17 në edicionin 2008-2009, ku fitonte atë Botëror.
Më pas edhe në kombëtaren seniore ka treguar vlerat e tij të larta si futbollist. 30-vjeçari ka bërë 107 paraqitje me Zvicrën, ku ka shënuar 12 gola – disa prej tyre edhe vendimtarë

