Dëshpëron Milani, ndalet me barazim nga Cagliari
Pasi triumfuan në Superkupën e Italisë, AC Milan, nuk ka arritur ta vazhdojë serinë pozitive, pasi tani në Serie A është ndalur me barazim 1:1 nga Cagliari që është në fund të tabelës.
Kuqezinjtë nuk po kalojnë aspak formë të mirë në elitën e futbollit italian dhe kjo ishte arsyeja pse u shkarkua trajneri Paulo Fonseca.
Por problemi siç duket vazhdon të jetë akoma në skuadër, pasi edhe me trajnerin e ri, nuk arritën deri te fitorja ndaj një skuadre që po lufton për mbijetesë.
Ndonëse e dominuan tërësisht takimin në San Siro, Milani nuk arriti më shumë se një barazim.
Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, me disa raste raste shënimi nga kuqezinjtë e një goditje e vetme nga mysafirët.
Në 45 minutat e dytë, Milani tentoi shumë, por la për të dëshiruar në konkretizim.
Alvaro Morata shënoi për 1:0 në minutën e 51-të, por Cagliari reagoi shpejt dhe vetëm katër minuta më vonë barazuan me golin e realizuar nga Zortea.
Deri në fund të ndeshjes nuk pati ndryshim në rezultat dhe Milani u ndal me barazim 1:1 nga Cagliari.
Kuqezinjtë tani mbeten edhe më larg kreut të tabelës, pasi gjenden në vendin e tetë pas 18 xhirove me vetëm 28 pikë të grumbulluara dhe në pesë takimet e fundit kanë tri barazime, një humbje dhe një fitore.