Dëshpëron Liverpooli, mposhtet nga Bournemouth
Liverpooli nuk ka arritur ta bartë formën e mirë nga java e kaluar ku shkatërroi rivalin historik, Manchester United me rezultat 7:0, pasi tani ka humbur nga Bournemouth me rezultat 1:0, me këta të fundit që me këtë fitore u larguan nga pozita e fundit e tabelës.
Të kuqtë patën mundësinë e artë ta rrëmbejnë pozitën e katërt duke parakaluar Tottenhamin, por ky gabim bënë që ata të mbesin tre pikë prapa, tani kur ndeshjet mes tyre janë të barabarta.
Sa i përket ndeshjes, Liverpooli ishte skuadra dominuese në këtë takim, si në raste ashtu edhe në posedim të topit, por assesi nuk arriti deri te goli, madje në pjesën e dytë humbën edhe një penallti.
As rezultati negativ në shtatë ndeshjet e fundit të Bournemouth ndaj skuadrës së Klopp nuk luajti rol.
Zhvillohej minuta e 28-të kur erdhi goli i vetëm i takimit nga Philip Billing, pas një neglizhence në mbrojtje duke filluar nga Virgil van Dijk që nuk perceptoi topin mirë, me Billing që pas harkimit të ulët nga Ouattara, gjeti golin shumë lehtë.
Mohamed Salah nuk po kalon në formë të mirë në këtë sezon dhe kjo u vulos edhe me një penallti të humbur në minutën e 70-të, ku për herë të parë prej se paraqitet në Premierligë, ai nuk qëlloi as në drejtim të portës nga 11 metra.
Liverpooli do të vazhdojë të mbetët në pozitën e pestë ndonëse përkohësisht dhe Newcastle tani është në ndjekje të tyre, ndërsa Bournemouth ngjitet në pozitën e 16-të nga vendi i fundit pas kësaj fitore shumë të vlefshme.