Derbi mes Prishtinës dhe Dritës përfundon pa gola dhe me pak emocione
Në stadiumin “Fadil Vokrri” mbaroi pa gola derbi i ditës në Superligën e Kosovës mes Prishtinës dhe Dritës, në një ndeshje shumë të ekuilibruar.
Në një atmosferë të këndshme sportive, “Fadil Vokrri” ishte sërish nikoqir i një shfaqje tjetër futbollistike. Më pak se 24 orë pas triumfit të Kosovës ndaj Qipros me rezultat 5:1, Prishtina dhe Drita u përballen njëra me tjetrën, në një ndeshje që nuk prodhoi shumë emocione.
Drita arriti që ta ruajë statusin e skuadrës së pamposhtur nga Prishtina për ndeshjen direkte të katërt radhazi.
Raporti i ndeshjes
Pjesa e parë ishte me një lojë shterpe, ku asnjëra prej skuadrave nuk regjistroi qoftë edhe një goditje të vetme në drejtim të portës kundërshtare. Të dy trajnerët u përkujdesen që në 45 minutat e para të jepnin indikacione të matura për të besuarit e tyre në fushë.
Si rrjedhojë, edhe ndeshja që u pa në fushë ishte tejet zhgënjyese në pjesë të parë, duke mos i kënaqur të pranishmit në stadium, që ishin me numër më të madh sesa zakonisht.
Me portat e patundura skuadrat u drejtuan zhveshtoreve për t’u bërë gati për 45 minutat minut e fundit të ndeshjes që do të pasonin më vonë.
Kështu, me të zbritur në fushë në pjesë të dytë, të dy skuadrat zhvilluan një futboll më dinamik dhe ishin më të etura për ta gjetur golin e epërsisë.
Prishtinës iu anulua një gol për shkak të pozitës jashtë loje, pasi sulmuesi Uka devijoi topin drejt rrjetës. Skuadra vendëse nuk është se u ankua shumë për këtë episod, duke u pajtur me vendimin që mori dhoma e VAR-it.
Nëse në pjesë të parë edhe përkundër faktit që ndeshja u fokusua më shumë në mesfushë dhe nuk prodhoi raste shënimi ishte Prishtina më kërkuese në fushë, pjesa e dytë kishte një anë tjetër të medaljes.
Me inkuadrimin në lojë të Muharrem Jasharit gjatë pjesës së dytë, Drita filloi që të prodhonte aksione më të rrjedhshme sulmuese. Ishte qendërsulmuesi i gjilanasve, Simonovski, ai që kishte një mundësi të mirë shënimi, por nuk u tregua i saktë para portierit Nika.
Prishtina në minutat e mbetura nuk pati energjitë e duhura për t’iu kundërvër Dritës. Diçka që po e shohim shpesh te klubi kryqyetas, ashtu siç ndodhi edhe në “Bajram Aliu” para disa ditësh kundër Drenicës.
Mirëpo për dallim nga ajo ndeshje, në derbin e sotëm Prishtina ia doli që të paktën ta ruajë portën e paprekur, duke bërë që sfida të përfundojë baras 0:0.
Me këtë rezultat, Drita ruan primatin në Superligën e Kosovës me 18 pikë të grumbulluara, tre më shumë sesa Ballkanit, por therandasit kanë dy ndeshje më pak, të cilat duhet t’i rikuperojnë. Në anën tjetër, Prishtina pas tetë javëve të zhvilluara në kampionat ka grumbulluar 12 pikë dhe zë vendin e katërt në pozitën tabelore, ku është dy pikë mbrapa Gjilanit.

Gjatë fundjavës do të zhvillohet edhe xhiro e 9-të në kampionat, ku Prishtina do të luajë si nikoqire ndaj Trepçës ’89, ndërsa Drita do ta presë në shtëpi Drenicën.

