Ballkani e mposht Malishevën në udhëtim, tani më afër kreut të tabelës - NACIONALE

Ballkani e mposht Malishevën në udhëtim, tani më afër kreut të tabelës

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Ndeshja e mbetur nga java e parë e Superligës së Kosovës ndërmjet Malishevës e Ballkanit është zhvilluar sot në Liman Gega, ku kampionët aktual shënuan fitore me rezultat 3:2, për të rrëmbyer pozitën e dytë në tabelë.

Për shkak të angazhimit në kualifikime për garat evropiane nga Ballkani, disa ndeshja nuk ishin të mundura të luheshin në orarin e paraparë dhe FFK gjeti një datë të lirë për zhvillimin e kësaj ndeshje.

Kampioni i Kosovës u befasua nga vendasit, duke pësuar gol që në minutën e katërt të takimit, pas një gabimi të Stivi Frashërit e ku përfitoi Agon Xhaka për të shënuar për 1:0.

Ballkani arriti ta barazonte rezultatin në minutat e fundit të pjesës së parë, ku anësori Ermal Krasniqi shënoi pas një asistimi nga Armend Thaqi.

Pjesa e dytë filloi më mirë për Ballkanin, të cilët shënuan dy gola, për të marrë një qetësi në minutat në vazhdim.

Fillimisht shënoi Ermal Krasniqi për golin e dytë të Ballkanit edhe golin e dytë personal të tij në këtë ndeshje në minutën e 57-të pas asistimit të Albion Rrahmanit, duke marrë epërsinë e parë në ndeshje me rezultat 2:1.

Për 3:1 shënoi Meriton Korenica në minutën e 74-të dhe më pas erdhi relaksimi nga kampioni i Kosovës.

Malisheva arriti ta ngushtonte rezultatin në 3:2 por vetëm kaq, pasi koha nuk ishte e mjaftueshme për më shumë.

Pas një tollovie në zonë dhe një pritje të mirë nga Stivi Frashëri, topi u kthye te Behar Maliqi që në 90+3 shënoi për rezultatin përfundimtar.

Tani pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara nga Ballkani, ata gjenden në pozitën e dytë në tabelë me 15 pikë të grumbulluara, me vetëm Dritën që është përmbi me 17 pikë por me një ndeshje më shumë.

Ndërsa për Malishevën kjo është humbja e pestë në tetë takime dhe tani gjenden në zonën e rrezikshme me shtatë pikë të grumbulluara, së bashku me Ferizajn, ku më keq është vetëm Dukagjini i vendit të fundit me dy pikë.

Lajme të ngjashme