'Der Klassiker' i takon Borussia Dortmundit, e mposht me rezultat komod Bayern Munichun
Borussia Dortmund i ka shkaktuar një humbje të hidhur Bayern Munichut në atë që quhet 'Der Klassiker', duke triumfuar me rezultat komod 2:0.
Kishte pak shpresë se bavarezët do të këndelleshin për të luftuar deri në fund për titullin kampion, por siç duket tashmë kjo garë është mbyllur, sidomos me humbjen sot.
Bayern Munich dominoi në posedim të topit por pati shumë pak gjuajtje në drejtim të portës, dy për 90 minuta dhe asnjëra nuk përfundoi në rrjetë.
Në anën tjetër te Dortmundi ishin konkret dhe realizuan në dy raste për fitoren e madhe.
Goli i parë i takimit u shënua në minutën e 10-të, kur Karim Adeyemi realizoi, i asistuar nga Julian Brandt.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa deri në fund të takimit, mysafirët shënuan edhe një herë.
Zhvillohej minuta e 83-të kur Sebastien Haller asistoi për Julian Ryerson, me këtë të fundit që shënoi për rezultatin përfundimtar 2:0.
Dortmund me këtë fitore arrin në pozitën e katërt, vendi i fundit që siguron një vend në Ligë të Kampionëve, ndërsa Bayern Munich mbetet 13 pikë prapa liderit Bayer Leverkusen.