Deontay Wilder shpërthen në lot duke folur për rreziqet që sjell boksi
Deontay Wilderi nuk mundi të përmbahet dhe shpërtheu në lot duke folur për rreziqet e lojës së boksit, gjatë një konference për media pas fitores kundër Robert Helenius të shtunën në Nju Jork.
Ish-kampioni i botës në kategorinë e rëndë Wilder e nokautoi Heleniusin në rundin e parë, duke u rikthyer bindshëm në ring.
Kjo ishte lufta e parë e Wilderit që prej disfatës së dytë radhazi me nokaut kundër Tyson Fury në tetorin e kaluar.
Wilder dhe Henelius janë miq dhe në të kaluarën kanë ushtruar së bashku në ring, po mënyra se si e rrahu në luftën e parë të vërtetë mes vete duket se e ka prekur amerikanin, i cili qau duke folur për rrezikun që përbën boksi për ta.
Ai e goditi boksierin finlandez me një direkte në fytyrë me të djathtën e tij të famshme dhe e nokautoi pak sekonda pa përfunduar rundi i parë.
Wilder doing Wilder things in round one - sending Helenius to Valhalla! 💀 #WilderHelenius | #boxing
— Nick Peet (@Peety_Editor) October 16, 2022
pic.twitter.com/8lbwQRJYkR
Boksieri 36-vjeçar foli me dhembshuri për Prichard Colon, i cili e pësoi një lëndim të rëndë në tru pas një meçi në vitin 2015, dhe që prej atëherë është nën përkujdesen e familjes së vet.
“Shikojeni Colonin. Prichard Colon. Ky njeri nuk do të ketë fëmijë (fillon të qajë). Ata nuk kuptojnë, ata nuk kuptojnë nëpër çfarë po kalojmë ne. Unë madje as që e njoh atë, por gjithmonë do t’i përkrah boksierët publikisht sepse mendoj se është nder i madh", tha Wilder i përlotur.
Deontay Wilder gets emotional and cries at the post-fight presser after his KO of Robert Helenius as he discusses the dangers of boxing and Prichard Colon, who suffered a life-altering brain injury…
— Michael Benson (@MichaelBensonn) October 16, 2022
[📽️ @PremierBoxing] pic.twitter.com/hEaK9LqSUU
"Ky njeri kurrë nuk do ta dijë çfarë do të thotë të jesh baba i dikujt. Ky njeri nuk do ta ketë kurrë një fëmijë natyral, apo mundësinë për të jetuar përsëri sepse u fut në ring për ta përkrahur familjen”, shtoi ai.
Me triumfin kundër ish-partnerit të vet në ushtrime, Wilderi e përmirësoi rekordin e vet duke e regjistruar fitoren e 43-të në karrierë, të 42-ten me nokaut.
Amerikani i ka edhe dy humbje dhe një barazim, po ashtu.
Wilder mund të përballet me amerikanin tjetër dhe ish-kampionin e botës Andy Ruiz Jr apo ukrainasin Oleksandr Usyk në luftën e radhës.
