Dënohet një tjetër gjyqtar i Premierligës, Salisbury pezullohet për vendimin kontrovers në ndeshjen Tottenham-Brighton
Gjyqtari i Premierligës, Michael Salisbury, është pezulluar për xhiron e ardhshme të ndeshjeve në kampionatin anglez, pasi nuk akordoi një penallti në të mirë të Brightonit, gjatë fitores së Tottenhamit, në atë që u pa si ndërhyrje e palejueshme në zonë nga Hojbjerg në Mitomën.
Salisbury ishte ndihmës gjyqtar në VAR në fitoren e diskutueshme të Tottenhamit, por nuk i kërkoi gjyqtarit kryesor të ndeshjes Stuart Attwell të rishikonte një incident penalltie në pjesën e dytë. Karou Mitoma i Brighton u duk se u ndal në mënyrë të palejueshme nga Pierre-Emile Hojbjerg, por asnjë goditje nga pika e bardhë nuk u dha. Gjithashtu, ‘Pulëbardhave’ iu anuluan dy gola gjatë 90 minutave. PGMOL kërkoi falje pas ndeshjes duke bërë të qartë se penalltia duhet të ishte dhënë.

"Pas ndeshjes së Brighton & Hove Albion në Tottenham Hotspur, PGMOL dhe klubi kanë qenë në kontakt në lidhje me një numër incidentesh gjatë ndeshjes së lartpërmendur," thuhet në një deklaratë. "Gjatë këtij dialogu, PGMOL pranoi se ishte bërë një gabim në mosdhënien e penalltisë në pjesën e dytë për një faull ndaj Kaoru Mitoma. Incidentet kryesore të ndeshjes nga kjo ndeshje do të shqyrtohen në përputhje me proceset tona normale."

Salisbury nuk do të marrë pjesë në ndeshjet e fundjavës, ndërsa Attwell është emëruar në VAR për përballjen mes Wolves dhe Brentford në Molineux. Ky gjyqtar është zyrtari i dytë që pezullohet pas raundit të fundit të ndeshjeve në Premierligë, pasi gjyqtari anësor, Constantine Hatzidakis është pezulluar gjithashtu ndërsa FA po heton një incident mes zyrtarit dhe Andy Robertson të Liverpool.
Në fillim të këtij viti, Lee Mason u detyrua të tërhiqej për gabimin e tij në një ndeshje të Arsenalit kundër Brentford.
