Dëmtuan veturat pas ndeshjes: Arrestohen e më pas lirohen dy tifozët e Prishtinës
Dy tifozë të Prishtinës janë arrestuar dhe pastaj u liruan të shtunën në mesditë pasi dëmtuan disa vetura, këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit Shaqir Bytyqi për Gazetën Nacionale.
Menjëherë pasi Prishtina pranoi gol, dy tifozë gjuajtën mjete piroteknike në fushë, ndërsa fillimisht Policia i largoi nga stadiumi. Pas kësaj, ata shkaktuan probleme tjera duke dëmtuar disa vetura.
Tashmë dy tifozët janë arrestuar, si dhe intervestuar për dyshimet në veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pronës”, kurse janë liruar pastaj.
“Sot më datë 14.09.24, në Suharekë dy tifozë të K.F. Prishtina janë arrestuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale "Asgjësim apo dëmtim i pronës" .
Pas intervistimit në konsultim me prokurorin të dyshuarit janë liruar dhe rasti hetohet me procedurë të rregullt”, deklaroi Bytyqi për Nacionalen.
Kujtojmë, Ballkani i arkëtoi pikët e plota e menjëherë pas këtij incidenti iu kërkoi tifozëve të mos bëjnë gjeste josportive, përndryshe nuk do të lejohen në stadium.
“FC Ballkani është munduar në vazhdimësi që t’i respektojë të gjitha tifozëritë mysafire, të cilët kanë ardhur për t’i ndjekur skuadrat e tyre në Suharekë.
U kemi bërë vend edhe kur nuk e kanë njoftuar ardhjen, gjë që e kërkon rregullorja.
Por duke pasë parasysh që në disa raste (përfshi edhe ditën e sotme), një pjesë e tifozëve nuk janë sjellur konform frymës sportive, atëherë ftojmë të gjitha klubet që të reflektojnë, duke respektuar afatet e dërgimit të kërkesës për ardhjen e tifozëve mysafirë.
Në çdo rast tjetër nëse do të ketë ardhje të tyre në Suharekë, nuk do të lejohen të hyjnë në stadiumin tonë të qytetit!
Sporti është urë që bashkon njerëzit, por ka rregullat e veta që domosdorshmërisht duhet respektuar”, thuhet ndër të tjera.