De Rossi e pranon se Dybala nuk është i paprekshëm te Roma
Trajneri Daniele de Rossi insiston se Roma nuk ka lojtarë të paprekshëm, përfshirë sulmuesin Paulo Dybala.
Ka pasur raportime se Dybala refuzoi kalimin te skuadra arabe Al Qadsiah, kur klauzola e lirimit prej 12 milionë eurove mund të aktivizohej.
Sidoqoftë, argjentinasi zhvilloi vetëm 15 minuta në barazimin 1:1 të Romës në miqësoren ndaj Evertonit, megjithatë De Rossi thotë se ishte vendim i tij dhe s’ka të bëjë me spekulimet e afatit kalimtar pavarësisht që nuk ka lojtarë të pashitshëm.
“Formacioni nuk varet nga spekulimet. Asgjë nuk ndikohet në vendimet e mia. E vendosa skuadrën që doja ta shihja kundër Evertonit”.
“Fillimi i sezonit është afër dhe ne duhet të jemi më të ngjashëm me atë që duam të jemi. Kam eksperimentuar, si në lojërat e tjera. Ata që erdhën në Angli janë të gjithë lojtarë të Romës, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
“Kjo është e vërtetë jo vetëm për Dybalan, por për të gjithë. Kur më pyetën nëse kishte lojtarë që duhet të qëndronin me çdo kusht, unë thashë jo. Kushdo që dëshiron të largohet është i lirë ta bëjë këtë”.
Ndër të tjera, De Rossi la të hapur mundësinë që dyshja Dybala dhe Matias Soule të luajnë së bashku.
“Mund ta bëjnë në sistemin 4-2-3-1 me Paulon që luan si 9 fals, por edhe si mesfushor ofansiv, ka shumë mënyra”.
“Gjithashtu gjithkush mund të përfundojë në stol. Gjëja më e rëndësishme është që secili të jetë vlerë e shtuar për skuadrën”.