De Jong: Është faji ynë
Mesfushori Frenkie de Jong insiston se lojtarët duhen fajësuar për paraqitjet e dobëta pasi trajneri Xavi Hernandez njoftoi se do të largohet.
Tekniku spanjoll befasoi të gjithë duke konfirmuar largimin në fundin e sezonit pas humbjes së shtunës mbrëma nga Villarreal me rezultat 3:5.
Megjithatë, De Jong për “DAZN” ka deklaruar se nuk është faji i trajnerit për paraqitjet e dobëta, mirëpo i lojtarëve.
“Është faji ynë, i lojtarëve. Nëse nuk po funksionon, është e tëra shkaku ynë”.
“Kjo nuk mund të ndodhë te një top skuadër. Nëse bën një rikthim dhe je 3:2 përpara, nuk mund të lejosh tërë ato hapësira për një kundërsulm”.
“Duhet të bëjmë shumë më mirë. Kemi besim të plotë te Xavi, stafi sepse po bëjnë një punë shumë të mirë. Kjo nuk duhet të ndodhë dhe është faji ynë”.
Barcelona ka pak shanse që të fitojë trofe këtë sezon, pasi kanë humbur Superkupën e Spanjës dhe Kupën e Mbretit, ndërsa janë 10 pikë prapa Real Madridit në La Liga. Kësisoj, ata mbesin në garë për Ligën e Kampionëve, ku në raundin e 16-të përballen me Napolin.
Ish mbrojtësi i Barcelonës Rafa Marquez haptas ka deklaruar se është i interesuar për ta zëvendësuar Xavin, mirëpo katalunasit kanë prioritet emra më të mëdhenj si Jurgen Klopp, Hansi Flick apo edhe Mikel Arteta.