De Bruyne: Nuk mendoj se paguhem shumë
Në një intervistë dhënë për "The Guardian", Kevin De Bruyne folur rreth shumë çështjeve, duke përshirë këtu edhe ecurinë në Botëror me Belgjikën. Ai tha se nuk ndihet shumë i paguar.
Kevin De Bruyne është në mesin e futbollistëve më të paguar në futbollin e sotëm. Ai përfiton 400 mijë funta në javë, ose rreth 20,8 milionë funta në vit.
Pavarësisht këtyre shifrave marramendëse, ylli belg mendon se nuk është edhe shumë i paguar, duke dhënë një shpjegim interesant për këtë.
“Nuk mendoj se paguhem shumë. E di që kjo përgjigje është pak popullore. Mirëpo, miliona njerëz shikojnë në televizion ndeshjet. 60 mijë të tjerë ndjekin ndeshjen në stadium. Të ardhurat vjetore të klubeve janë 500-600 milionë funta”, shtoi ai për “The Guardian”.
Ylli i Manchester Cityt shtoi se nëse klubi e përballon një pagë të tillë, atëherë është në rregull dhe nuk i duket diçka e tepërt.
“Kështu që po, janë shumë para. Mirëpo, a janë shumë? Nëse klubi financiarisht mund ta përballojë, atëherë nuk janë shumë”, shpjegoi ai.

De Bruyne këmbënguli që një përgjigje e tillë nuk është popullore dhe se është në dijeni për këtë gjë, pasi shpesh lojtarët akuzohen që paguhen me shuma marramendëse, pa i merituar ato.
“Kjo nuk është përgjigja më popullore, e rikthekoj. Megjithatë, unë kështu e shoh”, theksoi De Bruyne.
Skeptik rreth Botërorit
Ndër të tjera, 31-vjeçari u pyet edhe në lidhje me mundësitë që ka Belgjika për të triumfuar në Botërorin e sivjem. Sipas mendimit të tij gjasat nuk janë edhe të mëdha. Faktin që skuadra nuk është më e re si moshë mesatare e sheh si pengesë.
Në vitin 2018 mendon se ishte një mundësi e madhe për të ngadhënjyer, por që nuk arritën ta shfrytëzojnë: “Kemi një skuadër të mirë, por tani është shumë vonë. Jemi shumë të vjetër. Mundësinë e madhe e kemi pasur në vitin 2018, por nuk e shfrytëzuam.”
Rreth të ardhmes ai u shpreh shumë konkret, duke nënvizuar se dëshiron të jetë gjithmonë në lartësinë maksimale, për të qenë kështu më i miri nga të gjithë.
“Nuk më intereson të jem njëri prej më të mirëve. Dua të jem më i miri nga të gjithë”, përfundoi ai.

Kevin De Bruyne me ekipin kombëtar të tij shënuan fitore në ndeshjen e parë kundër Kanadasë me rezultat 1:0, edhe pse me shumë vuajtje e pa fare shkëlqim.
Madje, fantazisti belg i kampionit në fuqi anglez u shpall edhe lojtari i ndeshjes atë ditë, anipse po i njëjti u shpreh i habitur me çmimin që i ishte ndarë, duke thënë se nuk ishte paraqitur aspak mirë për ta gëzuar atë.
"S'e kuptoj pse u zgjodha lojtari i ndeshjes, nuk mendoj që zhvillova një ndeshje të mirë. Ndoshta është për arsye të emrit tim", tha shkurtimisht ai.

Belgjika ndeshjen e radhës e luan nesër me fillim në ora 14:00 kundër Kombëtares së Marokut. Për momentin në Grupin F është Belgjika që udhëheq në vendin e parë me 3 pikë, e ndjekur nga Kroacia dhe Maroku me 1 pikë dhe krejt në fund renditet Kanadaja pa asnjë pikë.

Me një fitore potenciale në sfidën e nesërme Belgjika do ta siguronte kalimin në fazën e eliminimit direkt, pavarësisht rezultateve në ndeshjet tjera.

