De Bruyne humb ndeshjet me Belgjikën shkaku i lëndimit
Mesfushori i Manchester Cityt Kevin de Bruyne nuk do të jetë i pranishëm për ndeshjet e marsit te Belgjika shkaku i një lëndimi.
32-vjeçari pritet të mungojë edhe ndaj Newcastle Unitedit të shtunën, pavarësisht që ky lëndim shihet si i lehtë, prandaj pritet të rikthehet pas pushimit ndërkombëtar.
Menjëherë pas ndeshjeve të kombëtareve, do të zhvillohet një super përballje në Premierligë, ku Arsenali do t’i shkojë Man Cityt, që shpresojnë ta kenë gati belgun.
Sa i përket lëndimit, përzgjedhësi Domenico Tedesco tha: “Është një lëndim i lehtë. Ka luajtur me këtë lëndim në ndeshjet e fundit".
“Mësuam për lëndimin e De Bruynes dje. Bisedova me të dhe doktorin. Vendosëm të mos marrim asnjë rrezik. Duam t’i japim kohë që të shërohet. Nuk ka kohë që të rrezikojmë lojtarët tanë, tre muaj para Evropianit”.
Belgjika përballet me Republikën e Irlandës më 23 mars, e pastaj me Anglinë në “Wembley” tre ditë më vonë derisa po përgatiten për “Euro 2024”.
Me renditjen aktuale në Premierligë, Arsenal është lider me një pikë më shumë se City e Liverpool, derisa kanë mbetur edhe 10 xhiro për t’u zhvilluar.