Dardani i javës: Emir Sahiti, i kudondodhur, pret rastin dhe shënon në mënyrë mjeshtërore - NACIONALE

Dardani i javës: Emir Sahiti, i kudondodhur, pret rastin dhe shënon në mënyrë mjeshtërore

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi anësor më i ri i kombëtares dardane, Emir Sahiti, ishte lojtari i Kosovës që spikati më së shumti në fundjavë. Jo vetëm për golin për Hajdukun, por edhe për paraqitjen në tërësi që zhvilloi. Ani se, përtej kësaj, ai është ekzaminuar me një lëndim.

Trajneri lituanez i Hajdukut, Valdas Dambrauskas, mendoi që ta shfrytëzonte Emir Sahitin në krahun e majtë të fushës, si anësor sulmues, në ndeshjen që skuadra nga Spliti e zhvilloi të shtunën ndaj Lokomotiva Zagrebit, ku triumfoi me rezultat të thellë prej 4 me 0. Pra, ndryshe prej pozitës së tij të zakonshme, asaj të krahut të djathtë, ai kësaj radhe vendosi sulmuesin kosovar në krahun e kundërt të fushës. Kjo erdhi pasi i njëjti u gjend në vështirësi në ndeshjet paraprake ndaj Istres dhe më vonë ndaj Dinamo Zagrebit, në derbin e përjetshëm kroat, kur luajti në krahun e djathtë.

Kësisoj, me të filluar ndeshja ndaj Lokomotiva Zagreb, sulmuesi 23-vjeçar ishte vazhdimisht pjesë e aksioneve sulmuese që ndërtonte skuadra e tij. Ai së bashku me Livaja dhe Kalinic treguan një kohezion për lakmi në fushën e blertë. E nisi si më i tërhequr ndeshjen, duke ndihmuar skuadrën në dy fazat e lojës. Në pjesën e parë pati më shumë detyra ekuilibruese në fushë dhe ia doli me sukses t'i mbulojë ato, falë edhe një paraqitjeje jo në nivelin e duhur të skuadrës kundërshtare.

Ai filloi të jetë çdoherë e më i përfshirë në aksionet që skuadra vendase fillonte t'i ndërtonte. Me kalimin e kohës, filloi të marrë përsipër edhe ekzekutimin e ndërprerjeve, thënë konkretisht edhe këndoret, ku ndër të tjera bëri edhe disa harkime shumë të rrezikshme në brendi të zonës kundërshtare, duke bërë që mbrojtësit shtatlartë të ekipit të tij t'i afroheshin shënimit të golave.

Pjesa e dytë bëri që sulmuesi kosovar të inkorpohej akoma e më shumë në sulmet e Hajdukut, kjo sepse edhe ndeshja mori kahjen e saj, me epërsinë prej dy golave që veç u krijua. Filluan të krijohen hapësirat në fushë dhe kjo i shkoi përshtati atij. Kështu, pak minuta pasi kaluan një orë lojë, ai vrapoi për t'u liruar, ku më pas gjeti pasimin e mbrehtë dhe të saktë nga mbrojtësi portugez, Ferro, çka mundësoi që sulmuesi dardan të gjendej përballë portierit, ku me një gjakftohtësi për t'i pasur lakmi, me gjysmë parabolë, shkundi portën kundërshtare, për ta rrumbullaksuar golin e tretë të ndeshjes dhe të 5-tin të tij në kampionat.

Gjashtë minuta më vonë doli nga loja, por nuk u vërejt ndonjë shqetësim sa i përket ndonjë goditjeje apo lëndimi eventual që mund ta kishte pësuar. Madje, i njëjti pas mbarimit të ndeshjes për mediat kroate, u shpreh: "Duhet ta lëmë anash këtë fitore sa më parë. Gjithsesi, është hera e parë që kam pranuar ftesë nga kombëtarja e Kosovës dhe tani po shkoj atje. Më duhet të jem i përqendruar aty. Ai është shteti im!

"Jam i lumtur që po shkoj aty dhe do të jap gjithçka nga vetja për të ndihmuar kombëtaren. Besoj që do të jem i gatshëm për Osijekun kur të kthehem", përfundoi ai.

Megjithatë, një ditë më vonë, gjegjësisht sot, ishte përzgjedhësi i ri i Kosovës, Alain Giresse, ku në konferencën e parë të tij përgjatë këtij grumbullimi të marsit, njoftoi se Emir Sahiti nuk do të mund të jetë i gatshëm për shkak të një lëndimi.

Mëkat i madh, kur dihet dëshira e tij e madhe që kishte për t'i luajtur këto ndeshje miqësore që e presin Kosovën, më 24 mars ndaj Burkina Fasos dhe 29 mars ndaj Zvicrës në Zurich.

Gjithsesi, kjo nuk e zhbën faktin që ai ishte lojtari me paraqitjen më të mirë nga lojtarët e Kosovës.

Paraqitje të mira patën edhe Leart Paqarada, Valon Berisha, Kreshnik Krasniqi, Elbasan Rashani, Zymer Bytyqi, Mirlind Kryeziu dhe Florent Hadërgjonaj, por më stabili dhe më bindësi në lojë në minutat që pati në fushë, ishte pikërisht Emir Sahiti. Në rastin e Leartit, ishte më shumë produktiv në 30 minutat e fundit, kurse në 1 orëshin e parë të lojës ishte më në hije. Njësoj si Elbasani dhe Zymeri. Elbasani ishte më kërkues në pjesë të parë, pastaj pjesa e dytë "e fiku" si atë, si lojën ekipore të Clermont. Dikush mund të thotë që edhe Zymer Bytyqi shënoi gol, po - por nuk ishte në lartësinë e tij në pjesën më të madhe të lojës, duke u bërë i lexueshëm dhe i neutralizuar nga Bright Osayi-Samuel. Kësisoj, Emirit i takon me plot të drejtë epiteti i dardanit të javës.

Sa i përket lojtarëve të Kosovës që zhgënjyen me paraqitje në fundjavë, ata ishin Toni Domgjoni dhe Mërgim Vojvoda.

Nëse do të duhej ta zgjedhnim atë që zhgënjeu më së shumti, padyshim që do të ishte Mërgim Vojvoda, të cilit, fatkeqësisht, në ndeshjen ndaj Genoas nuk i shkoi asgjë mbarë.

Kjo rubrikë do të jetë e përjavshme dhe me anë të saj do të mundohemi t'i pasqyrojmë paraqitjet e lojtarëve të Kosovës nga një tjetër kënd i vështrimit.

Lajme të ngjashme