Dardanët me mbështetje të madhe në Slloveni për Kosovën, dhe shumë kritika për politikanët - NACIONALE

Dardanët me mbështetje të madhe në Slloveni për Kosovën, dhe shumë kritika për politikanët

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Dardanëve, Lulzim Berisha, ka bërë të ditur se Kosovën e pret përkrahje e madhe në Slloveni.

Mirëpo, ai pati kritika të mëdha për politikanët që nuk kanë premtuar asnjë premi për lojtarët.

Postimi:

E gjithë paria e sportit dhe futbollit është mobilizuar për dy betejat historike që janë pranë nesh këto ditë, i madh e i vogël: federata, futbollistët, përzgjedhësi me ndihmës, si dhe vetë Dardanët. Të strukur, të heshtur, të fshehur, të painteresuar, vetëm politikanët me petkun e pushtetit po qëndrojnë. Asnjë përkrahje. Asnjë zotim. Janë mbyllur. Nuk dëgjohen e as nuk shihen. I duan fotografitë e suksesit, por jo që diçka të bëjnë edhe me vetiniciativë. Duan pjesëmarrjen në festë, por jo kontributdhënie për të arritur deri aty.

Vendet fqinje, respektivisht qeveritë përkatëse, para se kombëtaret e tyre t’i luanin ndeshjet për kualifikime në arena të mëdha, siç është Evropiani apo në këtë rast Botërori, zotoheshin për premi e më pas edhe e përmbushnin atë. Nuk ishin premi reaktive pas delirit popullor dhe kombëtar, por nisma motivuese paraprakisht. Nga 500 mijë euro deri në 1 milion. Shteti hap kuletën dhe ofron dorën e ndihmës për bijtë e vet të sportit kur ata janë afër shënimit të ndonjë suksesi madhor e historik. I vetmi përjashtim jemi ne. Këtu siç duket për fitoret shkruajnë vetëm pasi të arrihen ato, e për ndeshjet me interes jo veç sportiv por edhe shtetëror, mendojnë vetëm gjatë dhe pas ndeshjeve, kur të rregullohet infrastruktura për vëmendje. Ose, ata “dostat politikanë” mendojnë edhe pak ditë para ndeshjeve, për mendime vetanake ama, të interesit, duke u interesuar për ndonjë biletë e duke pyetur vërdallë me çirrje. Vetëm infrastrukturën për të arritur sukses me gjasë nuk kanë vullnet ta ndërtojnë.

“Me u koritë është lehtë”, thotë një fjalë e urtë popullore. Të koritur do të mbahen mend gjithë ata që e zgjodhën heshtjen kur dhjetëra-mijëra të tjerë u ngritën, me kombibusa, autobusë, aeroplanë dhe me mjete të tjera, duke udhëtuar me mijëra kilometra, nga kudo, për t’i qëndruar pranë ekipit kombëtar. Të gjithë në këmbë, përveç atyre. Si të koritur do të mbaheni mend për këto ditë letargjie pa asnjë veprim motivues në të mirë të interesit shtetëror, gjegjësisht ekipit kombëtar.

Ju edhe mund t’ju kaplon kotja, por jo edhe popullin. Dardanët masivisht do të jenë në Slloveni.

Lajme të ngjashme