Dani Carvajal mbështetet për ta fituar Topin e Artë
Mbrojtësi Dani Carvajal është mbështetur për ta fituar Topin e Artë para bashkëlojtarëve Vinicius Junior e Jude Bellingham, kështu ka deklaruar sulmuesi i Spanjës Joselu.
Gara për Topin e Artë veçse është rritur pasi Spanja e fitoi Evropianin, ku tani edhe Rodri vlerësohet si kandidat, ngase deri vonë ishte garë mes Viniciusit e Bellinghamit.
Në një intervistë për “AS”, Joselu ka mbështetur Carvajalin për ta fituar Topin e Artë për suksesin e madh që ka pasur këtë vit.
“Siç e kam thënë gjithmonë, është personi që e meriton më së shumti”.
“Ka fituar gjithçka që është për t’u fituar, ka shënuar gol, ka qenë i rëndësishëm, lojtari më i mirë në finale, pra është shumë më shumë se një fitues meritor”, deklaroi ai.
Fabio Cannavaro ishte mbrojtësi i fundit që e fitoi Topin e Artë në vitin 2006, kur e drejtoi Italinë në suksesin e Kupës së Botës.
14 nga 15 trofetë e fundit të Topit të Artë janë fituar nga sulmuesit, me Luka Modric (2018) që është mesfushori më i fundit që e ka fituar.