Dalin në shitje biletat për miqësoren e Kosovës me Zvicrën - NACIONALE

Dalin në shitje biletat për miqësoren e Kosovës me Zvicrën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Biletat për ndeshjen miqësore mes Zvicrës dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Zurich, kanë dalë në shitje sot, njofton Federata e Futbollit e Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Zvicrën për herë të parë në historinë e vet më 29 mars.

Biletat shiten nga Federata e Futbollit e Zvicrës dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre i takojnë tifozëve të Kombëtares së Kosovës. Tifozëve dardanë i është ndarë pjesa veriore e stadiumit “Letzigrund” në Zurich.

Për kosovarët, sipas federatës zvicerane, një biletë për personat nën 16 vjeç kushton 15.37 euro, ndërsa për të rriturit 30.35 euro në pjesën veriore, sektori 28.

Në një njoftim për media, FFK-ja shkroi: “Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se sot ka nisur shitja online e biletave për sektorin e tifozëve të Kosovës për ndeshjen miqësore Zvicër-Kosovë... Më poshtë e gjeni linkun që Federata Zvicrane e Futbollit e ka vënë në dispozicion për të gjithë të interesuarit që duan të kenë një biletë për këtë ndeshje. https://www.ticketmaster.ch/event/13829?CL_ORIGIN=ORIGIN25”.

Kjo ndeshje është cilësuar nga mediave zvicerane si një vëllazërore, për shkak të shqiptarëve të Kosovës që përfaqësojnë kombëtaren helvetike, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Kjo do të jetë miqësorja e dytë e Kosovës këtë muaj, pasi paraprakisht më 24 mars do të përballet me Burkina Fason në Prishtinë.

Alain Giresse do të debutojë si trajner i Kosovës kundër vendit afrikan, pasi u emërua në stolin e verdhekaltërve muajin e kaluar, duke e zëvendësuar të shkarkuarin Bernard Challandes.

Do të jenë dy ndeshje të rëndësishme për trajnerin francez për t’u njohur me futbollistët dardanë para ndeshjeve të qershorit në Ligën e Kombeve.

Lajme të ngjashme