CSGO: BNE befasohet sërish nga skuadra polake, eliminohet nga ESL Challenger League
Skuadra polake, 9ine ka arritur që ta mposhtë atë kosovare, Bad News Eagles, dy herë brenda një jave duke i eliminuar nga ESL Challenger League.
Kësaj radhe humbja erdhi në ‘lower bracket’ me rezultat 2:0 në harta, për dallim nga ndeshja e kaluar që ishte në ‘upper bracket’ ku BNE u mposht 2:1.

ESL Challenger League është një nga garat më të forta, ku fituesit kualifikohen në ESL Pro League, në atë që cilësohet si një nga më të mëdhatë në sportet elektronike.
Ashtu si në ndeshjen e parë edhe këtu, harta e parë në të cilën u zhvillua lufta mes dy skuadrave ishte Vertigo.
9ine ishin më të mirë por fitoren e arritën vetëm në vazhdime me rezultat 19:16.

Edhe në hartën e dytë në Mirage u nevojitën vazhdimet për të dhënë fituesin.
Bad News Eagles nuk ia dolën ta barazonin rezultatin në atë që është një nga hartat e tyre të preferuara, duke humbur me rezultat 19:17.

Lojtari më i dalluar te Bad News Eagles ishte Genc Kolgeci i njohur me nofkën 'gxx-', ndërsa te polakët më i dalluari ishte Kamil Pietkun apo 'KEi'.

Si humbja e parë edhe kjo e dyta nga skuadra polake ishte e befasishme, pasi që skuadra 9ine ka një renditje relativisht shumë më të ulët, duke u renditur si e 113 në botë, ndërsa BNE është e 24-ta.
Me këtë humbje humbin shpresat për t’u kualifikuar në ESL Pro League, dhe i gjithë fokusi i skuadrës kosovare tani duhet të jetë në majorin që fillon në fund të këtij muaji në Rio të Brazilit.
Ndeshjen e parë në IEM Rio Major, BNE do ta zhvillojë më 31 tetor me skuadrën braziliane 00Nation, ku në radhët e saja ka një nga lojtarët më të mirë të kësaj loje, Coldzera.