Cristiano Ronaldo reagon pas golit të 700-të në karrierë për klube - NACIONALE

Cristiano Ronaldo reagon pas golit të 700-të në karrierë për klube

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo ka falënderuar bashkëlojtarët, miqtë, familjarët e tifozët pasi shënoi golin e 700-të në karrierë për klube.

Portugezi dje shënoi golin e 700-të në karrierë për klube, duke realizuar në fitoren 1:2 ndaj Evertonit.

Pas kësaj, Ronaldo ka reaguar në rrjetin social "Twitter", ku ka falënderuar të gjithë për mbështetjen e madhe.

"700 gola për klube. Çfarë numri të bukur kemi arritur se bashku. Faleminderit për të gjithë bashkëlojtarët e mi, trajnerët, klubet, familjen, miqtë dhe sigurisht tifozët. Të bashkuar ne vazhdojmë", shkroi ai.

Ronaldo dje e nisi nga stoli në sfidën ndaj Evertonit, por shkaku i një lëndimi të Anthony Martial hyri në fushë më herët.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë pastaj pranoi një top të shkëlqyer nga Casemiro dhe me një goditje perfekte mposhti Pickford për rezultatin 1:2, që në fund rezultoi të jetë përfundimtari.

Pas fitores së djeshme, Ronaldo u urua nga të gjithë bashkëlojtarët dhe mori një fanellë nga klubi me numrin 700-të për rekordin e arritur.

Ndërkohë, bashkëlojtari i tij Bruno Fernandes pas fitores së djeshme tha që është vështirë t'i numërohen golat, sepse me çdo gol po vendos rekorde të reja.

"Është shumë e vështirë t'i numërosh golat për Ronaldon, sepse çdo javë duket se po vendos nga një rekord të ri".

"Jam shumë i lumtur për të sepse ka luftuar shumë që të gjej golin. Të enjten e kaluar ishte vështirë për të, sepse provoi vërtet shumë, por portieri bëri pritje të mira".

"Sot ai shënoi golin e fitores dhe kjo është më e rëndësishmja për ta, që skuadra fitoi. Për të si sulmues, ai do të shënojë gola. Jemi shumë të lumtur për të".

Ndërkohë, Manchester United në ndeshjen e radhës do ta zhvillojë ndeshjen si nikoqir i Omonias para se ta zhvillojë përballjen ndaj Newcastle Unitedit.

Lajme të ngjashme