Cristiano Ronaldo largohet nga Botërori me lot në sy
Ylli dhe kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, është larguar me lot në sy nga Botërori, pas eliminimit në çerekfinale nga Maroku me rezultat 1:0, në turneun e fundit të këtij niveli për të.
Ronaldo nuk u paraqit as në këtë ndeshje nga minuta e parë, ashtu si edhe në lojën e kaluar, ku Fernando Santos e la në bankën rezervë për Gonçalo Ramos, ky i fundit që shënoi het-trik në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Për 37-vjeçarin ky ishte Botërori i fundit me shumë gjasë, duke parë moshën dhe rendimentin e tij në fushë, që ka rënë dukshëm në vitin e fundit, por është e dhimbshme ta shohësh një futbollist të tillë si ai të largohet në këtë mënyrë me lot në sy.
Në sirtarin e tij ky ishte trofeu i vetëm që mungonte dhe si duket ai do të pensionohet nga kombëtarja pa e plotësuar ëndrrën.