Conte para përballjes kundër Interit: Nuk udhëtojmë në San Siro për ngritur flamurin e bardhë
Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka thënë se skuadra e tij nuk udhëton në San Siro për të ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit, ndonëse përballen me kampionin në fuqi të Italisë.
Conte tha se do të ishte 'si një hap prapa në kohë' për të kur ai të vizitojë Interin përsëri për herë të parë që kur u largua nga Zikaltrit në vitin 2021, por pavarësisht kujtimeve të tij të bukura, ai këmbëngul se të dyja skuadrat do të luftojnë për të fituar tre pikët.
“Gjithmonë ka një efekt kur ke punuar shumë. Ka shumë emocione, është si të kthehesh pas në kohë”, tha Conte gjatë konferencës së tij për shtyp para ndeshjes të premten pasdite. "Ka kaq shumë gjëra për t'u kthyer pas, kaq shumë kujtime. Është padyshim bukur të kthehesh në një vend ku kam punuar më parë. Dy vite të lumtura. Ne dolëm të dytët në sezon të parë, humbëm finalen e Ligës së Evropës dhe më pas fituam titullin kampion në sezonin e dytë. Ishte një përvojë fantastike që e mbaj gjithmonë me vete, si të gjitha fitoret në të kaluarën.”

Conte më pas vazhdoi të shpjegojë rëndësinë e përplasjes së së dielës në krye të tabelës. Ai beson se Zikaltrit janë aktualisht skuadra më e fortë në Itali. Skuadra e Simone Inzaghit është e pamposhtur në të gjitha garat që nga humbja 2:1 ndaj Milanit në shtator, humbja e tyre e vetme e sezonit deri më sot.
“Tre pikë janë gjithmonë të rëndësishme. Është e pashmangshme që duhet të përballemi me një ekip si (Interi) në një moment. Për gjithçka që kanë treguar, ata janë skuadra më e fortë. Ata kanë punuar shumë mirë dhe për momentin janë në një pozicion pak më të lartë se të gjithë të tjerët. Merita për ta, ata kanë bërë një punë të shkëlqyeshme nga drejtuesit e deri te trajneri dhe lojtarët, të gjithë janë rritur, por ata dhe ne të dy duam tre pikët. Ne nuk do të shkojmë në San Siro për të valëvitur flamurin e bardhë, do të shohim se çfarë do të ndodhë nëse luajmë letrat siç duhet. Ne do të masim veten me më të mirët dhe do të jetë mirë të kuptojmë përparimin tonë. Nuk mund të harrojmë se jemi në krye të tabelës, objektivi është të qëndrojmë në krye të tabelës”.