Conceicao e bën heroin, Portugalia fiton me përmbysje ndaj Çekisë - NACIONALE

Conceicao e bën heroin, Portugalia fiton me përmbysje ndaj Çekisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëra nga favoritët kryesor për të fituar Kampionatin Evropian, Portugalia, nuk e ka filluar në mënyrën më të mirë rrugëtimin e saj në EURO 2024, por që arriti ta fitonte ndeshjen në minutat shtesë me rezultat 2:1 ndaj Çekisë.

Një Çeki që disa muaj më parë e shkatërronte Shqipëria, sot arriti t'i krijojë shumë probleme Portugalisë në Evropian, madje për një moment ishte duke fituar, por që Portugalia e përmbysi rezultatin për të fituar në fund.

Pjesa e parë e takimit i takoi krejtësisht Portugalisë, duke dominuar me raste të krijuara dhe posedim të topit, madje Cristiano Ronaldo pati dy raste të arta, por që portieri Stanek i ndali të dyja.

45 minutat e parë përfunduan me barazim 0:0, por në pjesën e dytë u shënuan tre gola.

Fillimisht Çekia kaloi në epërsi në minutën e 62-të me një gol fantastik të shënuar nga Provod, që la të shtangur portierin Costa, për rezultatin 1:0.

Reagimi ishte i shpejtë nga Portugalia, pasi barazuan vetëm shtatë minuta më vonë, kur Hranac shënoi autogol, pasi fillimisht goditjen me kokë të Mendes e ndali portieri çek.

Portugalia e shënoi një gol me anë të Jotas, por që paraprakisht Ronaldo ishte në pozitë jashtë loje, me golin që u anulua nga VAR.

Por, heroin në këtë takim e bëri i riu Francisco Conceicao, që hyri në fushë në minutën e 90-të për të shënuar në minutat shtesë për rezultatin përfundimtar 2:1.

Me këtë fitore të Portugalisë, tani ata së bashku me Turqinë janë në krye të grupit F, pas mbylljes së xhiros së parë në grupet e Evropianit.

Lajme të ngjashme